English

Moti i keq, ministria e Brendshme: Ja zonat problematike, situata nën kontroll

Tiranë, 21 dhjetor NOA - Ministria e Brendshme ka bërë publike sërish sot zonat problematike nga moti i keq në vend.

Sipas Ministrisë së Brendshme referuar emergjencave civile, një situatë shqetësuese paraqitet në disa komuna të qarqeve Fier dhe Vlorë, ku për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa, uji ka përshkuar tokë bujqësore dhe shtëpi banimi.

Për verifikimin e dëmeve dhe zgjidhjen e problemeve të krijuara si pasojë e përmbytjeve, në këtë zonë gjenden drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se problemet kryesore janë hasur në komunat Novoselë, Kutë, Cakran, Frakull dhe Levan.

Për shkak të daljes së lumit Vjosa nga shtrati, janë përshkuar nga uji rreth 200 hektarë tokë bujqësore në Novoselë,60 hektarë në Kutë, 50 hektarë në Cakran, rreth 100 hektarë në Frakull dhe 100 hektarë në Komunën Levan.

Problemi më serioz i kësaj situate konsiderohet fakti se janë përshkuar nga ujërat 20 shtëpi në fshatin Çerven të Komunës Frakull, 10 shtëpi në fshatin Fitore dhe 60 shtëpi në fshatin Bishan të Komunës Novoselë.

Ndërkohë janë evakuuar 5 familje në fshatin Çerven.

Ekspertët dhe specialistët po evidentojnë dëmet e shkaktuara në të mbjella, bagëti apo dëme të ndryshme materiale.

Në qarkun e Shkodrës të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërkohë akset rrugore Qafë Mali- Qafë Shllak dhe Qafë Mali-Fierzë janë të kalueshme me zinxhirë.

Problem mbetet rruga për në Komunën Iballë të Pukës, e cila është e bllokuar për shkak se trashësia e borës arrin në 70 cm.

Edhe në qarkun Kukësit të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve në rrugët Qafë Mali-Qafë Shllak-Kukës, Fierzë-B.Curri-Morinë, Krumë-Qafë Prush dhe Krumë- Kukës. Të bllokuara nga bora janë komunat Arrën, Zapod dhe Gryk Çajë në Kukës, si dhe Komuna Lekbibaj në Tropojë. Po punohet për zhbllokimin e rrugëve që lidhin qendrat e komunave me rrugët nacionale.Â

Në qarkun e Dibrës nuk ka asnjë problem me qarkullimin rrugor, ndërkohë nevojitet përdorimi i zinxhirëve në rrugët Bulqizë-Krastë, Lurë-Rrëshen dhe për në Kalanë e Dodës dhe në rrugët për në Ostren, Trebisht, Klenjë, Martanesh, Selishtë, Xibër dhe Macukull.

Në qarqet e tjera me zona malore nuk evidentohen probleme dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme pa vështirësi, me përjashtim të rrugës për në Dardhë të Korçës, ku në disa segmente nevojitet përdorimi i zinxhirëve.

k.k/NOA

KOMENTE