Prishtinë, 21 dhjetor, NOA Nga Milena Selimi - Mund të quhet padyshim një nga piktorët më prodhimtarë të viteve të fundit. Piktor i ngjyrës dhe i temës së përrallave, legjendave dhe baladave shqiptare. Është nga rastet e rralla të piktorëve shqiptarë i shfaqur fillimisht jashtë kufijve. Pastaj, në Shqipëri. Haliti sapo ka hapur ekspozitën e tij "Fabulous", në shtetin më të ri evropian, Kosovë.
26 punime të piktorit Helidon Haliti, do të qëndrojnë për të gjithë artdashësit e Prishtinës në Muzeun e Prishtinës, Kosovë, deri më datën 28 dhjetor 2009. Punime në vaj dhe akrilik, ku ndihet natyrshëm peneli i një piktori të sigurtë në artin e tij.
Artsisti ka jetuar dhe punuar një kohë të gjatë në Greqi, ndërsa ka ekspozuar në galeritë e Amsterdamit "Axell Gallery" dhe "George C-ent Art Galery". "Helidoni shprehet se "Piktura është luks dhe duhet ekspozuar si duhet". Sapo ka përfunduar katalogu me veprat dhe punën e piktorit, kuruar nga Muzeu Mezuraj, në një parathënie të kujdesshme nga dr. Moikom Zeqo, studjuesja Zana Varvarica dhe një përshëndetje e veçantë nga shkrimtari, Ismail Kadare, që krijon një lidhje impresionuese mes pikturës së Halitit dhe asaj ç'ka ajo përcjell. Në fillim të marsit ai ishte prezent në Galerinë "Mezuraj", me ekspozitën e parë shqiptare, ku u paraqiten rreth 80 punime të autorit, disa prej të cilave, pronë e "Muzeut "Mezuraj".
E veçanta e artistit mbeten ngjyrat e ngrohta në piktura të përmasave 110x100 dhe 100x120. Temat dhe gjetjet në kompozime janë veçantia e stilit Haliti. Duket sikur njerëzit mungojnë. Ai shprehet se "Ka njerëz, por ata janë në një gërshetim të njeriut me sendin, por njëfarë kohe nuk e përdorja fare figurën njerëzore. Dikur pyeta se çfarë mund të pikturoja? Dhe gjeta temën e ekologjisë".
Piktura të Helidon Halitit gjenden në Muzeun Mezuraj, për të cilin artisti shprehet se "Në momentin kur pikturat prekin muzeun, atëhere ato vlerësojnë veten".