English

Policia e Tiranës analizon punën e saj për vitin 2009

Tiranë, 21 dhjetor NOA - U zhvillua sot analiza e veprimtarisë së punës së Drejtorisë së Policisë së Qarku Tiranë për vitin 2009, ku kreu i kësaj drejtori Tonin Vocaj analizoi me detaje punën e bërë nga efektivat blu.

Gjatë fjalës së tij Vocaj ka falënderuar prokurorinë për bashkëpunimin e saj me policinë. "Strukturat e policisë, kanë punuar me përkushtim, për zbatimin e detyrave të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për sigurimin e rendit publik, si dhe për parandalimin, zbulimin e goditjen e veprimtarisë kriminale.

Vëmendje e veçantë është përqendruar në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, e në mënyrë të veçantë, të krimeve ndaj pronës. Ndër prioritetet absolute të Policisë së Tiranës është zhvillimi dhe konsolidimi i Patrullës së Përgjithshme të Policisë. Aktiviteti Policor i së cilës po shfaq një Imazh të Ri të Policisë, veprim profesional, prezantim etik në publik, integritet moral e qytetar dhe qëndrim human në sjelljen në detyrë, për të bërë sa me reale atë që: Policia e Shtetit të shndërrohet në shërbim policor, në drejtim të zbatimit me rigorozitet të ligjit" tha Vocaj. Gjate periudhës Janar-Nëntor 2009 në Qarkun e Tiranës janë evidentuar 4828 vepra penale dhe u zbuluan 3941 prej tyre në shkallë Qarku dhe në sajë të masave të marra u arrestuan 1100 dhe u ndoqën në gjendje të lirë 2713 persona. Gjate këtij viti, Sektori Kundër Krimit të Organizuar ka evidencuar 260 vepra penale, ku janë implikuar dhe proceduar penalisht 307 autorë, nga të cilët 137 janë arrestuar në flagrancë, 161 ndiqen në gjendje të lirë. Në fushën e krimeve kundër narkotikeve, janë evidentuar dhe ndjekur 127 vepra penale të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, zbuluar 127 me 167 autorë, prej të cilëve 108 të arrestuar.

Nga antikorrupsioni, janë evidentuar 134 vepra penale, proceduar 284 autorë nga të cilët, 56 janë arrestuar në flagrancë dhe 228 proceduar në gjendje të lirë.

Gjatë këtij viti, në fushën e krimeve ndaj personit, janë evidentuar gjithsej 207 vepra penale, prej të cilave janë zbuluar 194 prej tyre "Objektiv i shërbimeve të Policisë Rrugore, ka qenë përmirësimi i elementeve dhe parametrave që ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të këtij shërbimi, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore.

Në bashkëpunim edhe me Patrullat e Përgjithshme është përballuar një ngarkesë pune, për normalizimin e trafikut në Tiranë. Gjatë vitit 2009 në qarkun e Tiranës kane ndodhur gjithsej 587 aksidente me 76 viktima, 69 persona të plagosur rëndë dhe 501 persona të plagosur lehtë" tha kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.

k.k/NOA

KOMENTE