English

Presidenti Topi ngushëllon familjen e ish-deputeti, Lekë Çukaj

Tiranë, 21 dhjetor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi ngushëlloi sot familjarët e ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Lekë Çukaj, i cili humbi jetën në një aksident tragjik rrugor.

"Në këto momente dhimbjeje e hidhërimi për humbjen e njeriut tuaj të dashur, dëshiroj të jem pranë jush për t'ju ngushëlluar dhe për të ndarë së bashku këto çaste të vështira njerëzore e familjare.

Ndarja e parakohshme dhe tragjike nga jeta e Lekës erdhi e rëndë për të gjithë ne, miqtë, kolegët, dashamirësit, bashkëpunëtorët e tij si dhe u përjetua thellësisht" thuhej në mesazhin e ngushëllimit që kreu i shtetit i përcolli familjarëve të ish-deputetit.

"Leka do të kujtohet nga ne gjithnjë si një njeri me integritet shoqëror e profesional, një koleg i përkushtuar në profesionin dhe detyrat e tij, njeri korrekt e i ndershëm, gjithnjë në harmoni e mirëkuptim me ata që e rrethonin. Dhe një herë më lejoni t'ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta si President i Republikës dhe si një njeri që ka pasur rastin ta njohë dhe të bashkëpunojë nga afër me Lekën!" përfundon mesazhin e ngushëllimit presidenti Topi.

k.k/NOA

KOMENTE