Tiranë, 21 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Asllan Dogjani ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka denoncuar në emër të PS-së, qeverinë pasi sipas tij nuk do t'ia dijë për banorët e izoluar në veri.
"PS denoncon këtë qeveri, që nuk i ka në hesap fare disa qindra e mijëra banor që janë të bllokuar nga bora që prej disa ditësh në komunat e Qarkut Kukës.
Qeveria nuk duhet të harroj që në këto zona banojnë njerëz, fëmijë, pleq, gra, burra, që kanë nevoja të ndryshme apo të sëmurë që kanë nevojë të shkojnë në spital.
Ka dy ditë rresht që shumë qytetarë kuksianë, shqiptarë, qytetarë të Kosovës, në mes të tyre gra e fëmijë kanë mbetur të bllokuar me orë të tëra apo kanë kaluar natën në të ftohtë në Qaf të Malit për shkak se rruga është bllokuar nga bora dhe nga ana e qeverisë nuk është marrë asnjë masë për pastrimin e saj, mungojnë borëpastrueset dhe nuk bëhet fjalë për hedhjen e kripës në rrugë" tha Dogjani.
Sipas deputetit socialist, aktualisht janë të bllokuara plotësisht Komuna Kalise, Zapod, Arrën, Lekbibaj, nuk kanë asnjë komunikim me qendrat e qyteteve dhe fshatrat me qendrat e këtyre komunave.
"Qeveritarët tanë nuk kanë sy dhe veshë për të parë se ç'ndodh në veri të vendit.
Partia Socialiste bën thirrje të merren masa menjëhershme për këta banorë të cilët i ka pllakosur, jo vetëm varfëria por edhe indiferenca e vazhdueshme e kësaj qeverie ilegjitime që nuk i konsideron si kuksianët, tropojanët, hasianët, si shtetas të barabartë me çdo qeveritar të vendit" përfundoi Dogjani.
k.k/NOA