English

Pyetësori i KE, Vasili-vartësve: Do raportoni çdo ditë në zyrën time ecurinë e pyetësorit

Tiranë, 21 dhjetor NOA - Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili kërkoi sot angazhimin maksimal të administratës që ai drejton në përgatitjen e përgjigjeve për pyetësorin, që Komisioni Evropian i ka dërguar Shqipërisë. Në Ministrinë e Shëndetësisë u zhvillua një takim me grupin qendror të punës dhe specialistët që po punojnë mbi pyetësorin.

"Ky është një prioritet që ja kemi detyrim jo vetëm vetes, por gjithë shqiptarëve.

Pa lënë mënjanë asnjë nga detyrimet tona, doja të sillja në vëmendjen tuaj dhe një herë se pyetësori është kryefjala e punës tonë" iu drejtuar ministri Vasili, përfaqësuesve të grupit qendror të punës.

Ministria e Shëndetësisë ka një rol të rëndësishëm në plotësimin e përgjigjeve të pyetësorit të KE-së.

"Jemi të përgatitur për gjithçka. I kemi të gjitha resurset administrative dhe teknike për t'iu përgjigjur në kohë dhe cilësisht kësaj sfide. Puna do të jetë intensive dhe pa orare zyrtare. Pika e parë e raportimit ditor në zyrën time do të jetë ecuria e pyetësorit."-tha  Vasili

Më tej, ministri Vasili, vlerësoi se ky pyetësor na jep mundësinë për të reflektuar për të gjitha reformat e rëndësishme që janë bërë deri tani në fushën e shëndetësisë dhe atë ç'ka kemi ende për të bërë.

Ministri Vasili, vlerësoi rolin dhe frymën e deritanishmë të bashkëpunimit mes dikastërit që ai drejton dhe Ministrisë së Integrimit Puna për përgatitjen e pyetësorit ka nisur dhe po vazhdon me intensitet. Tashmë aktivitetet brenda institucionit dhe ato me institucionet e linjës do të jenë më intensive në mënyrë që Ministria e Shëndetësisë të përmbushë detyrën në kohën e duhur. k.k/NOA

KOMENTE