English

Batutat e Berishës për Ramën, avokatët e kreut të PS bëjnë padi në gjykatë

Në kallëzimin kundër Berishës të cilin e gjeni të plotë më poshtë, Edi Rama rendit me detaje të gjitha batutat e shefit të qeverisë dhe akuzat lidhur me identitetin dhe jetën e tij intime

Tiranë, 22 Dhjetor NOA - Avokatët e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama kanë paditur kryeministrin Sali Berisha duke iu referuar batutave të tij në Kuvend dhe Kryeministri, disa javë më parë. Denoncimi është dorëzuar nga avokatët Arian Salati dhe Eno Bushi, i tha sonte agjencisë NOA, zëdhënësja e PS, Armela Imeraj.

Në kallëzimin kundër Berishës të cilin e gjeni të plotë më poshtë, Edi Rama rendit me detaje të gjitha batutat e shefit të qeverisë dhe akuzat lidhur me identitetin dhe jetën e tij intime:

"Duke shpifur për gjoja devijime të jetës sime intime, i kallëzuari nxjerr fjalët e mëposhtme: "Zoti Rama, cili është ai burrë i cili ngrihet nga shtrati i së shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit dhe e detyron gruan e tij të largohet natën e lemeritur?". Kjo është një tjetër shpifje e pashembullt që meriton të gjithë neverinë time, por edhe ndëshkimin e ligjit", - thuhet në këtë kallëzim.

Kurse citohet dhe batuta tjetër e Berishës: "Cili është ai burrë që bashkëshorten e vet e akuzon se e ka djalin me të atin e tij ...? Zoti Rama, thuaju shqiptarëve cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës? Çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk mohohet! Aq më tepër që ai ka qenë i vogël, i mitur..." Në vijim të sulmeve shpifëse ai artikulon frazën: "Ti akuzon babën si baba të djalit!". Pohoj me bindje e përgjegjësi të plotë para ligjit e shoqërisë përmbajtjen shpifëse të këtyre frazave që nuk kanë absolutisht asgjë të vërtetë. Unë nuk kam bërë e as çuar kurrë ndërmend akuza të tilla të përbindshme, të cilat i hedh poshtë me neveri, kurse djalit tim i kam blatuar të gjithë dashurinë, kujdesin dhe ndihmën e nevojshme për t'u rritur dhe edukuar normalisht".

e.r/NOA

Më poshtë, vijon kallëzimi i plotë:

K A L L Ë Z I M

KALLËZUESI : Edi Rama, i biri i Kristaqit , i vtl. 1964, lindur dhe banues në Tiranë, me adresë PSSH, Sheshi "Austria", nr. 91.

KUNDËR : Sali Berisha, i biri i Ramës, i vtl. 1944, lindur në Viçidol, Tropojë dhe banues në Tiranë, me adresë Këshilli i Ministrave i RSH, Blv. "Dëshmorët e Kombit", Tiranë.

ME OBJEKT : 1) Regjistrimin e procedimit penal dhe fillimin e hetimeve ndaj shtetasit Sali Berisha, për kryerjen në dëmin tim të veprave penale të shpifjes dhe të fyerjes për shkak të detyrës, të kryera botërisht, parashikuar nga nenet 240/2 dhe 239/2 të Kodit Penal;

2) Legjitimimin e të dëmtuarit në cilësinë e paditësit civil në procesin penal ndaj të kallëzuarit prej meje, me qëllim shpërblimin e dëmit të shkaktuar.

BAZA LIGJORE : Nenet 58, 75/b, 284 dhe 62 të KPrP.

PROKURORISË SË PËRGJITHSHME

T I R A N Ë

Zonja Prokurore e Përgjithshme,

Në cilësinë e personit të dëmtuar nga vepra penale e kryer, kallëzoj me anën e këtij akti shtetasin Sali Ram Berisha, me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, pasi në mënyrë të përsëritur dhe botërisht ka konsumuar, në dëmin tim, veprat penale të shpifjes për shkak të detyrës dhe të fyerjes për shkak të detyrës si Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, parashikuar përkatësisht nga nenet 240/2 dhe 239/2 të Kodit Penal.

Veprat e mësipërme janë konsumuar në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të datës 26.11.2009 dhe në konferencën për shtyp të dhënë në datën 02.12.2009.

I. Gjatë fjalës së mbajtur në datën 26.11.2009 në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Sali Berisha ka përhapur botërisht thëniet e mëposhtme, të cituara në vijim në ligjëratë të drejtë :

1. "Cili është ai burrë që bashkëshorten e vet e akuzon se e ka djalin me të atin e tij ...? Zoti Rama, thuaju shqiptarëve cili është ai baba që i mohon djalit kafshatën e gojës? Çfarëdo që të ketë bërë djali, kafshata nuk mohohet! Aq më tepër që ai ka qenë i vogël, i mitur..." Në vijim të sulmeve shpifëse ai artikulon frazën: "Ti akuzon babën si baba të djalit!". Pohoj me bindje e përgjegjësi të plotë para ligjit e shoqërisë përmbajtjen shpifëse të këtyre frazave që nuk kanë absolutisht asgjë të vërtetë. Unë nuk kam bërë e as çuar kurrë ndërmend akuza të tilla të përbindshme, të cilat i hedh poshtë me neveri, kurse djalit tim i kam blatuar të gjithë dashurinë, kujdesin dhe ndihmën e nevojshme për t'u rritur dhe edukuar normalisht.

2. Duke shpifur për gjoja devijime të jetës sime intime, i kallëzuari nxjerr fjalët e mëposhtme : "Zoti Rama, cili është ai burrë i cili ngrihet nga shtrati i së shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit dhe e detyron gruan e tij të largohet natën e lemeritur?". Kjo është një tjetër shpifje e pashembullt që meriton të gjithë neverinë time, por edhe ndëshkimin e ligjit.

3. I kallëzuari shpif edhe për gjoja dhunë të përdorur prej meje në publik ndaj bashkëshortes: "Zoti Rama, më thuaj, cili është ai burrë që e rreh si kafshë te Piazza dhe i mbush fytyrën me gjak bashkëshortes në prani të personaliteteve shqiptare dhe kosovare?". S'ka absolutisht asgjë tjetër përveç shpifjes edhe në monstruozitetin e sipërcituar dhe nënvizoj se kurrë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, jeta ime s'ka pasur të bëjë me dhunën ndaj kujtdoqoftë.

4. Duke iu drejtuar nënës sime Aneta Rama, i kallëzuari Sali Berisha shqipton fjalët e mëposhtme: "Tani do t'i them zonjës: kam shumë respekt për ty po do ishte në nderin tënd dhe të integritetit tënd që t'u tregosh shqiptarëve që e ke mjekuar djalin tënd 10 vjet për skizofreni! ... dil me kurajo si nënë shqiptare dhe thuaju të vërtetën, e ngrihu mbi sentimentet e një djali që të ka nxjerrë me lecka, nga shtëpia e tij, me rroba gjumi në pazar." Në shpifjet e mësipërme që Sali Berisha i përhap publikisht si të dhëna për qëllimin e tij të ulët të diskreditimit të personit tim publik, duke cënuar rëndë e në mënyrë të pafalshme edhe dinjitetin e nënës sime, jo vetëm nuk ka kurrëfarë të vërtete, po ka një urrejtje veçanërisht të patolerueshme për dikë që flet nga foltorja e parlamentit.

5. Duke më akuzuar deri edhe për lidhje me botën e krimit dhe si vrasës i Denis Ginës, i kallëzuari nxjerr deri edhe fjalët e mëposhtme: "I nise aferat me Denis Ginën, i cili u vra në një rrethim me policinë. E vranë me antitank... (pauzë) ...për hir të së vërtetës, të më falë zonja (është fjala për Zj. Rudina Magjistari) po mori për burrë, vrasësin e burrit të parë! Kjo është e vërteta, ti themi këto gjëra, jemi shqiptarë! Dhe iu desh kohë që të kuptonte. Iu desh që ta pësonte për të kuptuar gabimin që kishte bërë!". Nuk gjej fjalë për të shprehur indinjatën time për ultësinë e pashoqe ku ka zbritur i kallëzuari që artikulon të tilla perversitete, por theksoj, gjithnjë me përgjegjësi të plotë ligjore e morale, karakterin shpifës kriminal të këtyre sajesave fundekrye, të cilat nuk është hera e parë që deputeti Sali Berisha i kumton publikisht dhe për të cilat kërkoj hetimin e gjykimin deri në fund nga ana e drejtësisë.

6. Në vijim të akuzave të të njëjtës natyrë, për lidhje të fantazuara nga deputeti Sali Berisha me persona të akuzuar nga drejtësia për krime të rënda, i kallëzuari shprehet: "Zoti Rama, cilat janë lidhjet e tua me Aldo Baren. Transkriptimet flasin se mes tij dhe Dondollakut ti firmos si një bajloz." Dhe më tutje shton akuzat duke më quajtur kreun e një mafieje të supozuar prej tij duke thënë shprehimisht: "Unë të jap fjalën që me atë vullnet e me atë përkushtim që jam përballur në vitin 1990-91 me një sistem që duhej shembur po me atë vullnet të hekurt dhe vendosmëri përballem sot me mafian që ti kryeson!". E konsideroj absolutisht të domosdoshme transparencën e plotë lidhur me këto shpifje shumë të rënda, të cilat bashkojnë emrin tim me emra personash që s'kanë pasur të bëjnë kurrë me mua, në asnjë mënyrë, rrugë apo rast.

7. I kallëzuari shpif duke insinuuar paturpësisht: "Cila është arsyeja pse Fideli brilanton flokët dhe nuk të ndahet? Eshtë vetëm intime? Nuk besoj se është vetëm intime, jo… Sepse nuk ka dashuri të përjetshme.. E ka tjetërkund hallin ai. Unë do jua them shqiptarëve.". E sfidoj deputetin Sali Berisha t'u tregojë shqiptarëve gjithshka ai di lidhur me personin tim duke i vënë drejtësisë në dispozicion çdo fakt që ka dijeni apo provë që disponon, për të mbështetur këto turpe që ka nxjerrë nga goja duke shpifur për shkak të detyrës.

II. Sulmet e tij shpifëse ndaj personit tim i kallëzuari i përsëriti botërisht edhe në konferencën e tij për shtyp të datës 02.12.2009. Duke përmendur me emër biznesmenë të ndryshëm, ai përhapi ndaj meje sulme shpifëse me pretendimin se sipërfaqe të caktuara ndërtimi janë dhënë me firmën time në dhunim të ligjeve të shtetit.

Në vijim po riprodhoj në ligjëratë të drejtë:

"Ilir Mata ka me firmën e Edi Ramës 21.350 metër katror leje ndërtimi. Në një vendim 11 mijë metër katror, në tjetrën 9700, e tenderë të tjerë. Të gjitha janë në dhunim të pronave e ligjeve. ... Fidel Ylli, 4.320 metër katror sipërfaqe, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 21.532 metër katror, në vitin 2008, e tëra në dhunim të hapur të ligjeve, me firmë të Kryetarit Edi Rama, sipërfaqja tjetër e Yllit të partisë, Fidelit të Ramës, 21.532 metër katror, me firmë të Kryetarit Edi Rama..."

Po në këtë konferencë përmenden edhe biznesmenë të tjerë dhe sipërfaqe të tjera ndërtimi që, në kontekstualitetin e këtij prononcimi publik, aludohet se janë dhënë prej meje në shkelje të ligjeve të shtetit. I kallëzuari, në të gjithë tekstin e konferencës së lartpërmendur për shtyp, më vendos mua kallëzuesin në krye të një grupimi që, sipas tij vepron sipas rregullave të mafies.

Në këto pohime nuk ka asgjë të vërtetë, ato janë shpifje fund e krye, të përhapura me qëllimin për të dëmtuar emrin dhe respektin që unë gëzoj ndër votuesit e forcës politike që drejtoj dhe në shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

Kërkoj nga Ju të administroni të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton që Kryetari i Bashkisë nuk është autoriteti i ngarkuar nga ligji për të dhënë leje apo sipërfaqe ndërtimi dhe nuk ka dhënë të tilla. I kallëzuari prej meje e di mjaft mirë këtë, por ka qëllim të deformojë me sulme shpifëse personalitetin tim publik.

Zonja Prokurore e Përgjithshme,

Thëniet e cituara më sipër, të përhapura nga Sali Berisha botërisht dhe në mënyrë të përsëritur, përmbajnë të gjitha elementet e veprës penale të shpifjes për shkak të detyrës.

Thëniet e mësipërme jo vetëm janë krejt të pavërteta, por nuk kanë as karakter të përgjithshëm. Janë thënie me përmbajtje konkrete, që prekin padrejtësisht dhe qëllimisht aspekte të jetës sime private dhe publike.

Ato plotësojnë gjithashtu, të gjitha elementet subjektive të veprës penale të konsumuar duke qënë se unë jam kryetari i partisë më të madhe opozitare. Këto thënie u artikuluan në formë sulmesh publike fill pas protestës së madhe popullore për grabitjen e votave nga ana e pushtetit që drejton i kallëzuarit Sali Berisha. Eshtë krejt e qartë se këto sulme shpifëse bëhen për shkak të detyrave institucionale dhe shtetërore që unë kryej, duke synuar të dëmtojnë personalitetin njerëzor e politik të kundërshtarit në opozitë.

Thëniet me përmbajtje shpifëse janë përhapur publikisht dhe në mënyrë të përsëritur. Ky është fakt i njohur botërisht.

Faktet e mësipërme provojnë se i kallëzuari Sali Berisha i ka konsumuar plotësisht elementët e krimit të shpifjes për shkak të detyrës, të kryer botërisht dhe më shumë se njëherë, parashikuar nga neni 240/2 i Kodit Penal.

# # #

Sulmet shpifëse të Sali Berishës ndaj personalitetit tim shoqëror, në pjesë të veçanta të fjalimeve të tij publike, bashkëshoqërohen edhe me fyerje të hapura ndaj personit tim.

I kallëzuari, i akuzuar publikisht prej meje si kryetar i opozitës për manipulim të votës së shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk është në gjendje të kontrollojë fjalët dhe nuk ndalet vetëm në sulmet me qëllim diskreditimin e rolit tim publik. Ai synon edhe cënimin e nderit dhe dinjitetit vetjak me anën e sulmeve fyese, të kryera faqe deputetëve të Kuvendit, përfaqësuesve të mediave pamore dhe të shkruara si dhe përballë opinionit të gjerë publik.

Në vijim, po citoj këto sulme fyese në ligjëratë të drejtë:

"Por ti je një përbindësh... Nga të gjithë politikanët shqiptarë ti je skllav i krimit... Provoje… vazhdo se do jetë si për ata burrat me klimaks, po ti ke qenë me klimaks tërë jetën, ti ke lindur me klimaks... Nuk mund të zgjidh unë botën tënde hormonale..."

Etiketime të tilla të qëllimshme nuk ka dyshim që janë kryekëput çnjerëzore dhe cënojnë nderin e dinjitetin tim njerëzor. Ato janë artikuluar botërisht dhe nuk kanë karakter privat, karakteri i tyre është për shkak të detyrës sime institucionale si Kryetar i forcës më të madhe opozitare dhe të detyrës shtetërore si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Beteja ime me Sali Berishën nuk kryhet për çështje private, por për çështje tërësisht publike dhe me interes të gjerë shoqëror, ndaj edhe sulmet e tij fyese ndaj meje duhet të cilësohen si të konsumuara për shkak të detyrës.

Lidhur me sa më sipër, kërkoj që Prokuroria e Përgjithshme t'i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për të proceduar kundër Sali Berishës, për shkak se ai ka konsumuar veprat penale të shpifjes për shkak të detyrës dhe të fyerjes për shkak të detyrës, të parashikuara përkatësisht nga nenet 240/2 dhe 239/2 të Kodit Penal.

Gjithashtu, në mbështetje të nenit 62 të KPrP kërkoj që të legjitimohem në cilësinë e paditësit civil në procesin penal me qëllim mbrojtjen e interesave të mia në proces dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga veprat penale të kryera në dëmin tim nga i kallëzuari Sali Berisha.

Bashkëlidhur këtij kallëzimi:

- Një kopje elektronike dhe të printuar fjalën e të kallëzuarit në Kuvendin e Shqipërisë si dhe fjalën në konferencën e shtypit në foltoren e Kryeministrisë.

- Kopje të gazetave të mëposhtme, të datës 27.11.2009, të cilat kanë pasqyruar fjalën e Z. Berisha në Kuvendin e Shqipërisë si më poshtë :

- Gazeta "Rilindja Demokratike",

- "Gazeta Shqiptare"

- Gazeta "Panorama",

- Gazeta "Korrieri",

- Gazeta "Shekulli".

- Kopje të gazetave të mëposhtme të datës 03.12.2009 të cilat kanë pasqyruar fjalën e Z. Berisha në konferencën e shtypit në foltoren e Kryeministrisë si më poshtë :

- "Gazeta Shqiptare"

- Gazeta "Shekulli",

- Gazeta "Shqip",

- Gazeta "Korrieri",

- Gazeta "Koha Jone".

Me respekt,

Kallëzuesi

Edi Rama

Në cilësinë e Kryetarit të PSSH dhe të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës

KOMENTE