Tiranë, 22 dhjetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me Zv/Drejtorin e Bankës Gjermane për Zhvillim KFW, Roland Siller, shoqëruar nga Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchard dhe përfaqësues të zyrës së KFW në Tiranë.
Berisha shprehu falënderimet për mbështetjen e konsiderueshme financiare që Qeveria gjermane i ka dhënë Shqipërisë, në kuadër të Bashkëpunimit Financiar të cilat zbatohen nga KFW, në sektorët prioritarë për vendin si; furnizimi me ujë dhe kanalizimet, energjetika dhe sektori ekonomik e financiar. Kryeministri theksoi se të gjitha projektet që po financohen nga KFW kanë gjetur një zbatim me efektivitet dhe në kohë në Shqipëri.
Ndërkohë, Ambasadori gjerman Borchard theksoi se ndihma financiare e qeverisë gjermane, vetëm dy vitet e fundit, ka arritur në 120 mil Euro.
Ai theksoi bashkëpunimin shumë të mirë me institucionet shqiptare në realizimin e këtyre investimeve.
Dy projekte të rëndësishme në fushën e energjisë, të cilat do të financohen së shpejti, janë, Linja unazore 110 kV në jug të Shqipërisë dhe Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri - Kosovë.
Kryeministri Berisha theksoi se prioritetet shumë të rëndësishme për bashkëpunim në të ardhmen, mbeten ato në sektorin e furnizimit me ujë dhe energjetika, duke u ndalur veçanërisht në tre drejtime kryesore: eficencën e energjisë dhe energjinë e rinovueshme, mbështetje për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, si dhe projekte të tjera për transmetimin e energjisë.
k.k/NOA
Â