English

Foshnjat e urryera të luftës

Besohet se mbi 200 mijë fëmijë në Francë kanë lindur si pasojë e lidhjeve të përziera franko-gjermane gjatë kohës së okupimit gjerman të Francës në Luftën e Dytë Botërore. Shumica prej tyre u rritën të demonizuar dhe me konfuzion në lidhje me identitetin. Në shkurt, Gjermania miratoi ligjin për t'ua ofruar nënshtetësinë atyre, të cilët mund të dëshmojnë se baballarët e tyre kanë shërbyer në forcat gjermane gjatë kohës së luftës

Fjalët fyese gjatë lojës ishin sinjali i parë për të. Në moshën 12 vjeç, një rivlerësim i rekordit të tij mjekësor thëlloi dyshimin e Jean Jacques Delormes për atë se kush është ai në të vërtetë. Gjatë gjithë jetës së tij, ai arriti të zbulojë copat e historisë së tij të fshehur për një kohë të gjatë. Ai ishte prodhim, siç zbuloi më vonë, i një lidhjeje të turpshme mes nënës së tij franceze, e cila ka punuar në kuzhinë dhe një oficeri të ushtrisë gjermane, ushtri e cila kishte pushtuar Francën - njëri prej rreth 200 mijë fëmijëve të tillë, shumica prej të cilëve u rritën të demonizuar dhe me konfuzion në lidhje me identitetin. Tani si shembull i fuqisë shëruese të BE-së, Delormit dhe të tjerëve si ai u është ofruar nënshtetësia e dyfishtë gjermane dhe franceze, në kuadër të përpjekjeve të dyja këtyre vendeve për të lënë të kaluarën prapa. Për Gjermaninë është kjo një çështje e thjeshtë për shlyerjen e fajit, për shkak të invadimit të Francës dhe okupimit brutal katërvjeçar. Por, edhe Franca po ndjen nevojën për të shlyer fajin - për shkak të larjes së borxheve pas çlirimit, me ç'rast pasoi ekzekutimi dhe poshtërimi i kolaboracionistëve të dyshuar. Në qytetin e Normandisë, Lisieux, i cili u çlirua nga forcat aleate, pas invadimit në vitin 1944, nëna e Delormes ishte në mesin e të poshtëruarve. "Ne në Francë tani duhet të përballemi me kujtimet tona për luftën. Më vjen keq që Franca nuk ka pasur kurrë procesin e vet të Nurnbergut", theksoi Delorme, duke iu referuar procesit gjyqësor kundër kriminelëve nazistë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në Francë, shton ai, "të gjithë kanë qenë kolaboracionistë deri në vitin 1944, për t'u shndërruar më pas në luftëtarë të rezistencës". "E vërteta është ndryshe", shton ai. Delorme u rrit duke e kërkuar të vërtetën, i përballur gjatë gjithë kohës me gënjeshtra dhe heshtje. Askush nuk i kishte rrëfyer atij për poshtërimin e nënës së tij, krimi i vetëm i së cilës ishte se kishte dashuruar dikë". Mashkulli me të cilin u martua nëna e tij vendosi ta adoptojë, por megjithatë i shmangej atij. Shokët e shkollës, e madje edhe xhaxhallarët e tij, e thërrisnin "kopil" apo edhe fjalën fyese gjermane ‘i biri i lavires". Delorme nuk i kuptonte këto fjalë. "Mendoja se më fyenin idiot". Dyshimi për atin e tij të vërtetë i lindi në moshën 12 vjeç, por iu deshën edhe dhjetë vjet tjera për të konfrontuar familjen gjatë një darke familjare. "U thashë, ‘Tani jam i rritur, e meritoj ta di se kush është babai im i vërtetë", rrëfen ai. Nëna e tij u largua nga dhoma. Gjyshja e tij e ftoi në një kthinë të vjetër, ku ia dorëzoi një zarf të vjetër. Brenda kishte fotografi: nëna e tij me një mashkull me uniformë të ushtrisë gjermane. "Ishte ky një shok i madh emocional për mua. Babai im kishte fytyrë", theksoi Delorme. Zbulimi u bë në vitin 1967. Atij iu deshën katër dekada të plota para se të gjente familjen e të atit në qytetin Mainz, në jugperëndim të Gjermanisë. Shumë fëmijë francezë të luftës tani po kuptojnë të vërtetën për baballarët e tyre, pas vdekjes së nënave të tyre dhe pas daljes në sipërfaqe të dashurive të tyre gjatë kohës së luftës. Shumë prej tyre nuk hulumtojnë historitë deri në vdekjen e të afërmve të tyre, me qëndrim armiqësor ndaj gjermanëve. Sot, Franca dhe Gjermania kanë të njëjtën valutë, kanë dërguar forca në Afganistan, kufijtë mes dy vendeve nuk kanë më pengesa dhe ndajnë të njëjtin korpus diplomatik. Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouschner, i lindur gjashtë muaj pas invadimit të Gjermanisë në Francë, ka një diplomat gjerman, i cili punon në zyrën e tij në Paris. Por, Kouschner pranon se shumë plagë nuk janë shëruar ende. "Franca dhe Gjermania deri më tani kanë mbetur të shurdhra ndaj vuajtjeve të viktimave të fundit të konfliktit, të cilat nuk i kanë parë kurrë. Këta fëmijë, tani të rritur, po kërkojnë nga ne 60 vjet më vonë që të pranojmë vlerat e tyre, jetët dhe mbi të gjitha identitetin e tyre", theksoi Kouschner gjatë një fjalimi vitin e kaluar, i cili nxiti Gjermaninë që këtyre personave t'u ofrojë nënshtetësinë gjermane. Në shkurt, Gjermania miratoi ligjin për t'ua ofruar nënshtetësinë atyre, të cilët mund të dëshmojnë se baballarët e tyre kanë shërbyer në forcat gjermane gjatë kohës së luftës. 11 prej tyre kanë marrë deri më tani nënshtetësinë gjermane, ka njoftuar ambasada e Gjermanisë në Paris. Delorm aplikacionin e tij për nënshtetësi e ka dorëzuar në gusht. Kjo nuk do të thotë se ai duhet të heqë dorë nga të qenit francez - të gjithë aplikuesit e mbajnë edhe nënshtetësinë franceze. Ai kuptoi se babai i tij, Hans Hoffman, kishte qenë i martuar, kur u takua me nënën e Delormit në vitin 1941 dhe se familja e tij jeton në Mainz. Në vitin 2006, Delorme zbuloi vëllathin e tij, të cilin edhe e vizitoi. "Unë nuk flas gjermanisht. Ata nuk flasin frëngjisht. Kemi qëndruar zgjuar deri në orën tre të mëngjesit. Kemi qarë shumë", thotë Delorme. Vëllathi i tij e dërgoi te varri i të atit, i cili u vra nga forcat amerikane në maj të vitit 1945, disa ditë para dorëzimit të Gjermanisë. Oferta për nënshtetësi gjermane për fëmijët si Delorme tani vlen vetëm për Francën. Por, anembanë Europës besohet se 800 mijë persona kanë rrënjë gjermane dhe të tjerët shpresojnë se programi francez do të përhapet edhe në shtetet tjera të Europës, për të pranuar në këtë mënyrë fëmijët e luftës. Edhe përkundër faktit se nuk e ka njohur kurrë të atin e tij, Delorme thotë se e ndien vetën edhe gjerman e edhe francez. "Tani jam i lehtësuar", nënvizon ai. (*) AFP

KOMENTE