Shkup, 22 dhjetor, NOA - Ditët e para të heqjes së vizave për qytetarët e Maqedonisë ishin të zakonshme, por edhe kalimet nëpër pikat kufitare me Bullgarinë dhe Greqinë, si dy vende të zonës Shengen ishin të zakonshme si dhe ditët e tjera.
Heqja e barrierës së vizave nuk pati ndonjë jehonë të madhe tek qytetarët dhe se pikat kufitare në mesnatën e së shtunës ishin thuajse totalisht të boshatisura.
Heqja e regjimit të vizave u prit me një mot të vështirësuar, rast ky ku gati tërë qytetarët e vendit kishin zgjedhur shtëpitë e tyre për të ndjekur rënien e perdes së izolimit.
Përveç turit të organizuar nga qeveria, ku një grup gazetarësh, qytetarësh dhe studentësh të shoqëruar nga zëvendëskryeministri për euro-integrime, Vasko Naumovski dhe ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska vizituan Parisin, pjesa më e madhe e qytetarëve ngelën në shtëpitë e tyre të ballafaquar me problemet aktuale politike, ekonomike si dhe përhapjen e vazhdueshme të gripit AH1N1.
Edhe pas heqjes së regjimit të vizave në pikat kufitare me Greqinë dhe Bullgarinë nuk është regjistruar fluks i madh i qytetarëve të Maqedonisë. Sipas autoriteteve kufitare në vendkalimin kufitar "Bogorodicë me Greqinë të shtunën kanë kaluar kufirin rreth 820 shtetas të Maqedonisë.
Qarkullimet e zakonshme ditore në këtë pikë kalimi janë prej 1000-1500 udhëtarë. Edhe në vendkalimin "Mexhitlija" kanë kaluar kufirin një numër i vogël i qytetarëve dhe sipas të dhënave bëhet fjalë për 260 shtetas të Maqedonisë.
Në këtë pikë kufitare qarkullimi i përditshëm shkon deri në 300 udhëtarë. Fluks i madh nuk është evidentuar edhe në pikat e kalimit kufitar me Bullgarinë dhe sipas policisë kufitare në "Deve Bair" kalimet kanë qenë të zakonshme sikur gjatë periudhës kur ka funksionuar regjimi i vizave.
Në Aeroportin e Shkupit të shtunën ishin paraparë 10 fluturime drejt vendeve evropiane, ndërsa edhe prenotimet për fluturimet në kryeqendrat evropiane kanë qenë të zakonshme. Një pjesë e qytetarëve theksojnë se kriza është faktori që ata nuk mund të planifikojnë një udhëtim jashtë vendit, disa theksojnë se do të udhëtojnë gjatë festave të fundvitit dhe pjesa tjetër planifikon braktisjen e vendit në muajin mars, atëherë kur mund të planifikohet ndonjë punë në vendet e BE-së.
Artan Shabani, student, thekson se nga fillimi i vitit 2010 planifikon të vizitojë ndonjë vend të BE-së. Sipas tij, nuk mund të flitet ende për liberalizim të vizave, sepse kushtet që kërkohen ndoshta vështirë se mund të plotësohen nga çdo qytetar.
"Kërkohen disa kushte, bileta, garancitë, paratë dhe gjithçka tjetër. Nuk e kemi akoma të qartë se çka në të vërtetë kërkojnë përveç pasaportës biometrike që kam", ka theksuar Artani, duke shtuar se nuk planifikon që në të ardhmen të braktisë vendin përgjithmonë, edhe përkundër krizës ekonomike dhe papunësisë.
Edhe Xhevdet Nuhiu, i papunë nga Shkupi, nënvizon se pas vitit të ri do të provoj fatin në ndonjë vend të BE-së. "Unë po planifikojë të shkojë në ndonjë shtet skandinav dhe atje të provoj fatin, sepse thuhet se ka punë dhe janë kushtet më të mira se sa në vendet e tjera evropiane", ka nënvizuar Xhevdeti. Sipas tij, kriza ekonomike e detyron atë të largohet nga vendi, ndërsa ai nuk përjashton që ta marrë me vete edhe familjen e tij katër anëtarëshe. Liberalizimi i vizave banorëve të Maqedonisë do t'u mundësojë udhëtim në 25 vendet anëtare të BE-së, Norvegjisë, Zvicrës dhe Islandës, me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës, ku akoma vlejnë vizat. Disa këshilla nëse udhëtoni në BE
Dënimi më i vogël për ata që udhëtojnë në vendet e BE-së dhe që nuk kanë jelekun e ndritshëm në bagazh, duket të paguajnë 40 euro, ndërsa tejkalimi i shpejtësisë ka gjoba prej 80 euro deri në 1000 euro. Ai i cili nuk mund të paguajë dënimin në vendin e ngjarjes, nuk mund të vazhdojë udhëtimin, ndërsa pagesa e dënimit në bankë është dyfish më e lartë. Në raste të dënimeve më të larta, policia ka të drejtën të konfiskojë automjetin. Leja ndërkombëtare është e patjetërsueshme për të pasur në vendet e BE-së, gjithashtu ju duhet të posedoni edhe kartonin e gjelbër. Përveç kësaj në veturën që udhëtoni duhet të keni edhe përgatitjet e automjetit si dhe aparatin kundër zjarrit dhe gjatë tërë ditës duhet të vozisni me drita të ndezura. Ajo që duhet të respektohet në çdo kohë është vendosja e rripit të sigurisë. Nëse kaloni nëpër Hungari, duhet të paguani taksën rrugore e cila për katër ditë kushton 6,4 euro, ndërsa në Austri për shtatë ditë duhet të paguani 7,70 euro.
Në vendet e mëdha evropiane, është vështirë të gjeni vende parkimi, por është mirë të shfrytëzoni parkingjet me pagesë, për shkak se një dënim nga parkimi i gabuar kushton rreth 300 euro.
Â
Â
Â
Â