Tiranë, 23 dhjetor NOA - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha bëri të ditur sot përgatitjen e një projektligji të ri në ndihmë të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës.
Sot është nisur nga Ministria e Brendshme për mendim në ministritë e tjera të linjës dhe së shpejti do të jetë në qeveri, një projektligj që do ta miratojë Kuvendi i Shqipërisë, me të cilin do t'i jepet trajtimi çdo familjeje deri sa çdo fëmijë e familjes të arrijë moshën 18 vjeçare sikur punonjësi, oficeri i policisë i rënë në krye të detyrës të ishte i pranishëm pranë familjes, duke përfshirë këtu edhe rritjen në grada që do të përfitonte gjatë gjithë periudhës së karrierës së tij.
Këtë vendim Ministri Basha e bëri gjatë një feste të organizuar me rastin e festave të fundvitit nga Ministria e Brendshme për fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës.
Basha shtoi se në projektligj parashikohet që duke nisur nga mosha 18 vjeçare, fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës të përfitojnë deri në përfundim bursat për studime të plota universitare në universitetet e Shqipërisë.
Ai theksoi se kjo nismë ligjore nuk është dhuratë, por një detyrim ndaj atyre punonjësve të policisë që nuk u ndalën as ndaj rrezikut më të madh, rrezikut për jetën, dhe e flijuan atë.
Për fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës u zhvillua një koncert artistik dhe u shpërndanë dhurata.
k.k/NOA