Tiranë, 23 dhjetor NOA - Kryeministri Sali Berisha, i ka bërë thirrje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama që të mos pengojë kthimin e opozitën në Parlament.
Apelin, Berisha e ka bërë gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare ku shtoi se opozita duhet të kontribuojë në realizimin e reformave të domosdoshme për integrimin e vendit, dhe për këtë duhet t'i jepen hapësirat.
"I bëj thirrje zotit Rama të mos pengojë partinë e tij të kthehet në Parlament.
Opozita është e domosdoshme, ajo ka bërë hapa të mëdha në ecurinë e saj.
Por të deklarosh se njoh rezultatin e zgjedhjeve por nuk kthehem në Parlament, kjo është diçka absurde. Shpresoj që vitin e ardhshëm opozita të zërë vendin e saj në Parlament. Ajo do të ketë hapësirën e nevojshme për reformat, në mënyrë që të luajë rolin e vet në procesin e integrimit", tha sot në Kuvend, kryeministri Berisha. Ndërkohë gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë i qëndroi stoik vendimit për të mos hapur kutitë pasi sipas tij është e pamundur të dalë mbi gjykatat dhe ligjin.
"Të bllokosh hyrjen e opozitës në Parlament dukë kërkuar që ky tempull të dalë mbi një vendim gjykate është e pamundur. Kutitë do t'i kishim hapur 100 herë për opozitën, por procedurat juridike dhe ligjet nuk lejojnë që ky tempull të marrë pushtetin gjyqësor", shtoi më tej Berisha, duke thënë se mazhoranca është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë të opozitës nëse ato nuk bien në kundërshtim me ligjet që ka miratuar Kuvendi.
k.k/NOA
Â