English

Christopher Dell: Kosova, provë të suksesshme me zgjedhjet

Prishtinë, 23 dhjetor, NOA - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Christopher Dell i tha "Zërit të Amerikës" se Kosova ka kaluar nëpër një provë të suksesshme të organizimit të zgjedhjeve. Ambasadori Dell, e vlerësoi me rëndësi pjesëmarrjen e pjesëtarëve të komunitetit serb në zgjedhjet për pushtetin komunal, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për ndarjen tokësore të Kosovës. Ai tha se një mundësi e tillë do të ishte një katastrofave për Kosovën dhe rajonin.

 Zoti Ambasador, Kosova është në përfundim të procesit të zgjedhjeve për pushtetin lokal. A e ka kaluar ajo sprovën që kanë paraqitur për të këto zgjedhje?

- Unë mendoj se kjo ka kaluar me sukses, do të thotë vërtetë shumë mirë. Gjatë fundjavës pamë sprovën e fundit të suksesit të institucioneve të këtushme, kur Komisioni i Ankesave vendosi për rivotime në tri komuna. Mendoj se është shenjë shumë e mirë që një institucion i tillë i pavarur është në gjendje të marrë një vendim të tillë dhe partitë politike ta respektojnë atë. Në tërësi mendoj se kjo është një dëshmi e mirë e institucioneve të shëndetshme këtu.

A e dëmtojnë këtë proces akuzat dhe kundër akuzat e shkëmbyera gjatë këtyre ditëve ndërmjet partive politike?

- Mendoj se duhet pritur që në emocionet e fushatës, kur njerëzit kanë shpenzuar shumë kohë, përpjekje dhe para për të fituar dhe kanë ndjenja të fuqishme për këto çështje, do të luftojnë me të gjitha mjetet që i kanë në duar për të arritur fitoren. Dhe prandaj i kemi institucionet e pavarura, roli i të cilave është që të jenë të drejta dhe objektive, që të shohin se çfarë po ndodhë dhe të marrin vendime përfundimtare. Jam i inkurajuar që e bënë këtë, morën vendime të guximshme dhe partitë politike po i respektojnë. Në vend që të dëmtojnë Kosovën, mendoj se kjo është e mirë për vendin.

Ambasador, debatet para zgjedhjeve dhe pas tyre, kanë nxitur diskutime rreth mundësisë së ndryshimit të koalicionit aktual qeverisës, apo edhe të organizimit të zgjedhjeve të parakohshme për pushtetin qendror. Ju si i shihni këto debate dhe a mund të ndodhin ndryshimet e tilla?

- Në demokraci zgjedhjet janë akt përcaktues. Një gjë që krijon ritmin e jetës politike. Ne sapo kemi kaluar nëpër një cikël zgjedhjesh. Është e natyrshme që në fund të një procesi të tillë, aktorët politikë, rivlerësojnë fuqinë e tyre, pozicionin e tyre dhe interesin e tyre politike dhe marrin vendime mbi këtë bazë. Kjo është tërësisht normale në një demokraci, posaçërisht në sistemet parlamentare dhe unë mendoj se është shumë e shëndetshme dhe e mirë për një vend që partitë politike të kalojnë nëpër procesin e vlerësimit se ku ndodhen dhe çfarë do të bëjnë. Si rezultat keni një qeveri që pasqyron raportin e forcave kombëtare. Unë mendoj se është e mundshme që të ketë ndryshime në koalicion, por kjo është çështje e partive që të vendosin për vete pasi të kenë vlerësuar se ku janë interesat e tyre.

A është realisht funksional koalicioni aktual qeverisës?

- Mendoj se është funksional dhe po funksionon tash për tash. Ai ka marrë vendime të rëndësishme gjatë javëve të fundit. Për shembull, duke përcaktuar shkallën dhe natyrën e projektit të ri energjetik të Kosovës. Ky është një vendim i madh që përfshinë një investim afatgjatë të qindra miliona dollarëve që është me rëndësi thelbësore për të ardhmen e Kosovës. Kjo qeveri e morri këtë vendim në përmbyllje të një procesi të gjatë disavjeçar. Pra, po, koalicioni është i qëndrueshëm për aq sa partitë që e përbëjnë duan të qëndrojnë së bashku. Kjo është çështje që duhet të vendoset prej tyre në dritën e zgjedhjeve të sapo përfunduara dhe të asaj se ku e shohin të ardhmen e tyre politike dhe të interesave të tyre.

Nga pikëpamja juaj, a mund të kemi zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm?

- Mendoj se zgjedhjet e parakohshme janë të mundshme, por nuk më takon mua të gjykoj. Partitë politike duhet të vendosin nëse duan të vazhdojnë me marrëveshjet aktuale, apo të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Qartazi ka trysni për dhe kundër kësaj dhe ky është një vendim që duhet të marrin.

Zoti Ambasador. Zgjedhjet nuk patën sukses në veriun e Kosovës, ndërsa në pjesën tjetër të saj pati një pjesëmarrje të konsiderueshme të pjesëtarëve të komunitetit serb. A po përvijohet nëpërmjet kësaj mënyre të votimit edhe ajo që është vlerësuar si synim për ndarjen e veriut të Kosovës?

- Ndarja e Kosovës nuk është në rend dite. Ndonëse ka interesa të qartë në kryeqytete tjera të rajonit që do të donin ta shihnin një gjë të tillë, kjo do të ishte katastrofë e tmerrshme për Kosovën dhe për rajonin. Nëse tërhiqni perin e mëngës, atëherë e tërë mënga do të shthuret. Dhe ky është rreziku me të cilin përballemi kur njerëzit flasin për ndarjen. Ajo që mendoj se është krahasim i qëndrueshëm për të bërë ndërmjet veriut dhe jugut, është se serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër e kanë parë qartazi se është në interesin e tyre të marrin pjesë në këtë ndërmarrje tunduese për të ndërtuar vendin dhe për të forcuar institucionet e tij. Ata e kanë parë se ku është interesi i tyre dhe kanë vendosur që të marrin kontrollin mbi jetën e tyre nëpërmjet qeverisjes lokale. Mendoj se kushërinjtë e tyre në veri do të ndjekin këtë me kujdes dhe do të shohin ndryshimet e mëdha në cilësinë e jetës së serbëve në enklavat jugore, nëpërmjet shtimit të rolit të tyre më të madh në qeverisjen komunale, duke ndihmuar krijimin e vendeve të punës, mundësive të reja për kujdes shëndetësor. Nuk mendoj se kjo porosi do të tretet tek serbët që jetojnë në veri të lumit Ibër.

A besoni që zgjedhjet në veriun e Mitrovicës do të mund të mbahen me kohë, siç është parashikuar, pas gjashtë muajsh?

- Mendoj se po. Kjo do të kërkojë shumë punë që nga tash e deri në kohën e paraparë kah mesi i muajit maj. Hapi i parë është krijimi i ekipit përgatitor komunal në Mitrovicën veriore. Ne po flasim për zgjedhjet në Mitrovicë dhe në Partesh, pra për dy komuna. Parteshi, sigurisht do të jetë gati, ndërsa Mitrovica veriore do të kërkoj shumë punë, por jam i bindur se do të bëhet.

Ambasador, Kosova po mbush dy vjet që kur është bërë e pavarur. Ndonëse është vlerësuar se ajo ka krijuar një qëndrueshmëri politike, megjithatë ende ka sfida të hapura, siç është vendosja e sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sa janë shqetësuese këto çështje?

- Mendoj se Kosova duhet të jetë dhe është krenare për të arriturat e saj për vetëm dy vjet. Ajo ka kaluar një rrugë mjaft të gjatë. Mos ta harrojmë, kur flasim për problemet që janë shumë se njerëzit e këtij vendi duhet të jenë krenar dhe duhet të përgëzojnë veten. Disa gjëra që i përmendët janë gjithsesi sfida të mëdha. Gjatë vitit të ardhshëm kemi disa gjëra me të cilat duhet të merremi. Ju i përmendët korrupsionin dhe krimin e organizuar. Unë i vë të gjitha këto në kategorinë e sundimit të ligjit. Forcimi i sundimit të ligjit në këtë vend është thelbësore për të forcuar themelet e demokracisë këtu dhe kjo duhet të jetë pjesë e rëndësishme e agjendës sonë për vitin 2010. Ta zëmë, çështja e energjisë. Ndonëse qeveria ka marrë vendime për termocentralin e ri, tash kemi shumë punë teknike për të pasur një proces të suksesshëm të konkurrencës dhe tenderimit. Mendoj se kjo është përparësi kryesore për vitin që po vjen. Do të ketë apo nuk do të ketë zgjedhje, sigurisht që do të jetë një sfidë. I përmendëm zgjedhjet në veri dhe në Partesh që do të jenë në rend dite. Pra, është bëtë shumë dhe ka mbetur shumë për të bërë. Qytetarët e Kosovës po fitojnë përvojë dhe aftësi për të qeverisur dhe ndonëse ka sfida ato nuk janë të paarritshme dhe unë jam i bindur se kur të shohim prapa pas një viti do të mund të themi se viti 2010 ishte një vit tjetër i suksesshëm, në mos më i suksesshmi për Kosovën.

Ambasador, kohëve të fundit kemi pasur disa paraqitje ku flitet për përfshirje të strukturave politike në veprime kriminale. A po e dëmtojnë Kosovën këto zhvillime? Po flasim për rastin Bllaca...

- Nuk dua të paragjykoj. T'i lëmë institucionet, prokurorët, policinë dhe gjykatat ta bëjnë punën e tyre. Mendoj se kjo është një sprovë për institucionet e Kosovës që duhet të përballen me këtë dhe jam i sigurt se ato do ta bëjnë këtë. Në vend se ta dëmtojnë vendin, këto gjëra do të dëshmojnë se vendi është i aftë të kujdeset për veten, të gjykojë dhe vlerësojë atë që është e drejtë dhe gabim. Dhe kjo është një gjë e shëndetshme për një shoqëri.

Kosova është njohur nga 64 vende të botës. A i është i kënaqshëm ky numër dhe çfarë mund të bëjë Prishtinë për të shtuar ritmin e njohjeve?

- Mendoj se është numër i mirë. Ai paraqet përparim të madh për vetëm dy vjet, por sigurisht do të dëshironim që më shumë vende të njihnin Kosovën. Sigurisht do të donim që të gjitha vendet e botës të njohin Kosovën, ta njohin të drejtën e qytetarëve të Kosovën për të përcaktuar të ardhmen e tyre dhe për të respektuar vendimin e tyre. Mendoj se mund të bëhet më shumë por është e vështirë. Miqtë dhe partnerët e Kosovës si Shtetet e Bashkuara po bëjnë gjithë çfarë e mundur për të siguruar më shumë njohje dhe jam i bindur se do të shohim njohje të tjera në fillim të vitit të ri. Sigurisht, sapo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të marrë një vendim, do të shohim një zhbllokim të njohjeve.

Dhe cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara në këtë proces?Â

- Shtetet e Bashkuara janë qartazi miq të Kosovës. Kjo nuk është befasi për askënd. Ne e mbështesim Kosovën nëpërmjet diplomacisë sonë. Sa herë që Kosova kërkon njohje nga ndonjë vend, ne natyrisht flasim, e mbështesim dhe inkurajojmë qeveritë që të përgjigjen pozitivisht.

VOA

KOMENTE