Tiranë, 23 Dhjetor NOA - Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka tha sot se bojkoti krijon pasiguri për biznesin dhe klimën në përgjithësi dhe konkretizoi kur shtoi se "ne e kemi ndjerë shqetësimin që është krijuar nga situata aktuale politike edhe në takimet që kemi pasur me partnerët tanë të huaj".
Jaka nënshkroi sot dy marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Ndërtuesve dhe atë të Fasonistëve me qëllim vendosjen e marrëdhënieve mbrojtëse të biznesit të këtyre kategorive dhe vendosjes së partneriteteve të reja me ta.
"Ne synojmë që në bashkëpunim me të gjithë përfaqësuesit e grupimeve legjitime të biznesit të përçojmë dhe të jemi artikuluesit më të mirë të problemeve që bizneset kanë", - tha Jaka.
Pas kësaj Jaka doli në një konference për shtyp, ku pohoi fillimisht se në mendjen e të gjithëve 2009 do të mbetet i fiksuar si viti i krizës së madhe financiare që përfshiu botën. "Efektet e këtij cunami financiar u ndjenë edhe në ekonominë shqiptare. Por efektet qenë minimale dhe janë bizneset më mirë se kushdo që e konfirmojnë këtë fakt", - theksoi Jaka.
Ai vlerësoi se niveli i lartë i investimeve publike kombinuar me reformat fiskale dhe rregullatore shërbyen në mënyrë të suksesshme të amortizonin çdo efekt negativ.
Jaka tha se në këto reforma Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka pasur rolin e vet specifik. "Po ashtu ne këtë vit ai dolëm të modernizojmë më tej shërbimet për biznesin, duke u bërë pika e referencës dhe porta ku çdo biznes troket dhe gjen zgjidhjen për problemet që ka", - evidentoi Jaka.
Bazuar në çka tha më sipër Jaka apeloi në emër të institucionit që drejton, por dhe të biznesit në përgjithësi me një thirrje për politikën, që të reagojë "ndaj shqetësimeve që ne kemi":
"Ne kërkojmë mirëkuptimin e opozitës për të votuar ligjin për Gjykatën Administrative. Por jo vetëm për këtë, është e qartë se bojkoti krijon pasiguri për biznesin dhe klimën në përgjithësi. Ne e kemi ndjerë shqetësimin që është krijuar nga situata aktuale politike edhe në takimet që kemi patur me partnerët tanë të huaj".
Po ashtu Jaka kërkoi që të operohet me shpejtësi për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave e përkthyer kjo si një zhvillim shumë i mirëpritur për sipërmarrjen dhe biznesin në përgjithësi.
"Është e padiskutueshme që liberalizimi dhe integrim evropian sjell zhvillime pozitive të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për biznesin", - tha Jaka.
Po ashtu, ai kërkoi vëmendjen e qeverisë ndaj fjalës së biznesit për ligjet që hartohen dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e biznesit.
"Diskutimi i iniciativave ligjore, projektligjet, me grupet e interesit, mundëson ligje cilësore dhe të aplikueshme në kohë dhe zbatim. E njëjta gjë mund të thuhet për opozitën, pasi pjesëmarrja e saj në kuvend krijon mundësinë që ligjet të jenë edhe më të qëndrueshme", - tha Jaka.
Këtu ai kërkoi me forcë që politika t'ia lërë mosmarrëveshjet vitit 2009 dhe në vitin që vjen të gjejë forcën për një marrëveshje të madhe politike.
"Komuniteti i biznesit dëshiron që kjo të ndodhë sa më parë në të mirë të tij por edhe të të gjithë qytetarëve dhe të së mirës së integrimit të vendit në Bashkimin Evropian", përfundoi Jaka.
r.l/e.l/NOA