Tiranë, 23 dhjetor NOA - "Dje, disa media afër Qeverisë, dhanë njoftimin se për dhënien e titullit "Qytetar Nderi" i bashkisë së Kamzës kryeministrit Sali Berisha, paskërkan votuar unanimisht edhe këshilltarët socialistë.
Është një mashtrim absurd i opinionit publik! Është oksigjen nderi për atë që po i mbaron!" deklaroi sot zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj në emër të këshilltarëve socialist Ilirjan Ismaili, Idriz Cara, Aqif Pjeqi e Shefqet Keçi.
"Ne, këshilltarët socialistë të Kamzës, jo vetëm që nuk kemi votuar për këtë titull, por edhe e quajmë të turpshme që të votojmë një gjë të tillë për kryeministrin e Gërdecit, për kryeministrin e tunelit të vjedhur e të shembur, për varfëruesin e Kamzës e të gjithë Shqipërisë, për manipulatorin e paskrupullt të votave të shqiptarëve.
Ne dhe gjithë socialistët dhe progresistët e Kamzës, votojmë vetëm një gjë: largimin e Berishës" kanë deklaruar këshilltarët.
k.k/NOA
Â