Uashington, 23 dhjetor, NOA - Mundësia e riarmatimit të Gjeorgjisë duhet parë si një çështje me prioritet për sigurinë ndërkombëtare. Një fakt të tillë senatori amerikan republikan, Riçard Lugar, ua ka bërë me dije zyrtarëve të administratës Obama si edhe aleatëve evropianë.
Me anë të një raporti të veçantë, Lugar ka theksuar se lufta e shkurtër e vitit të kaluar mes Rusisë dhe Gjeorgjisë i shkaktoi dëme të mëdha mbrojtjes gjeorgjiane duke e lënë të brishtë përballë ndonjë sulmi të mundshëm.
Prandaj sipas tij, ky vend duhet të riarmatoset, në të kundërt do të gjendet e dobët para sulmeve të mundshme që mund t'i mbërrijnë nga Rusia. "Shkatërrimi i radarit dhe pjesëve të tjera të mbrojtjes ajrore e ka lënë Gjeorgjinë pa mundësi për të verifikuar kush kalon në hapësirën ajrore të vendit", citohet përshembull një detaj në raportin e Lugar-it. Ndër të tjera, ky raport i bën thirrje administratës amerikane të bashkërendojë strategjinë brenda NATO-s që baraspeshon nevojën e Aleancës për raporte me Rusinë dhe nevojat e Gjeorgjisë për siguri.
n.e/NOA