Tiranë, 23 dhjetor NOA - Në ditën e dytë të ndarjes së shpërblimeve nga qeveria për festat e fundvitit, pensionistët në kryeqytet shprehen se janë zhgënjyer me 2500 lekë që Berisha u dha për këtë vit.
Ata thonë se s'mund të blejnë asgjë për tryezën e festave jo më të bëjnë dhurata për nipërit e mbesat në këto prag festash.
"Jam shumë i pakënaqur thotë një Aliu 70-vjeç nga Tirana i cili tërhoqi sot shpërblimin pranë zyrës së postës tek Liceu Artistik. Na u premtua më shumë por unë s'bëj dot asgjë me këto lekë. Do shkoj tua jap mbesave t'i përdorin si të duan.
Ndërsa Murati që po qëndron në pritje të marrjes së shpërblimit hidhet me të qeshur.
"Gjysmë gjeli deti marrim. Do vete të blej një këndez e do ik në shtëpi, çtë bëj më shumë", thotë ai.
Një pensioniste e cila shoqërohet me të shoqin thotë se me 25 mijë lekë të vjetra që sapo mori do të blejë 2 kg mish për Krishtlindje.
"Na qan syri për dhurata por s'mund të bëjmë asnjë për festat. Janë të shtrenjta dhe mua më duhet t'i blej dhe ilaçet me lekë", thotë e moshuara.
Një tjetër pensionist me nipin për dore pas marrjes së shpërblimit thotë se do të gëzojë të voglin me një dhuratë sado simbolike.
Të tjerë të moshuar që nuk duan të mërziten për festa thonë se e rëndësishme është që nuk janë harruar dhe pranojnë shpërblimin simbolik.
Por përveç shpërblimit, pensionistët ankohen dhe për rritjen e çmimit të energjisë e cila pritet të aplikohet në fillim të vitit të ardhshëm.
Sipas tyre, varfëria do të thellohet edhe më shumë në familjet ku të ardhurat janë shumë të pakta, përfshi këtu dhe kategorinë e të moshuarve.
b.m/NOA