English

Ylli Ndroqi, presidenti i ri i boksit profesionist shqiptar

Promotori i të mirënjohurit Kreshnik Qato prezantohet të enjten si kreu i ri i ringut profesionist kuqezi. Premton të sjellë një frymë tjetër të menaxhimit të këtij sporti në vendin tonë

Altin Kodra

Tiranë, 23 Dhjetor NOA Biznesmeni i njohur, Ylli Ndroqi, është zgjedhur ditët e fundit si President i Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist (FSHBP), duke zëvendësuar në këtë detyrë paraardhësin e tij Hamdi Uka. Ndroqi, i njohur me mirë si promotor i të vetmit boksier të afirmuar profesionist shqiptar, Kreshnik Qatos, ka marrë shumicën e votave në Asamblenë e kësaj Federate, duke shënuar njëkohësisht edhe një ndryshim rrënjësor të kursit të boksit profesionist në Shqipëri.

Krahas konfirmimit të Ylli Ndroqit në postin e presidentit të saj, Federata Shqiptare e Boksit Profesionist ka emëruar si Sekretare të Përgjithshme të saj bashkëshorten e të mirënjohurit Kreshnik Qato, zonjën Anila Qato, ndërsa presidenti i deritanishëm, Hamdi Uka, është caktuar drejtor teknik i këtij organizmi, ndërsa një tjetër figurë e ringut shqiptar, Bashkim Mërtiri, është zgjedhur inspektor teknik dhe në bordin drejtues bën pjesë edhe një nga legjendat e dorezave shqiptare, Ali Kastrati.

Në fakt, edhe pse jozyrtarisht i lidhur me Federatën Shqiptare të Boksit Profesionist (FSHBP), Ylli Ndroqi, ka qenë një faktor vendimtar i promovimit të boksit profesionist në Shqipëri dhe i boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare, pasi Kreshnik Qato ka konkurruar gjithnjë në ring për flamurin shqiptar dhe vetëm kjo ka bërë që FSHBP-ja të jetë anëtare e organizmave evropianë apo botërorë të boksit profesionist. Zgjedhja e tij në këtë post është një ogur i mirë për boksin profesionist shqiptar për shumë arsye.

Mbështetja e pakufishme që Ndroqi i ka dhënë Qatos ka cuar në organizimin në Shqipëri të ndeshjeve të denja për një kalibër kontinental dhe botëror, si përsa i përket cilësisë sportive të tyre, po ashtu edhe menaxhimit dhe publicitetit të bërë para, gjatë dhe pas zhvillimit të tyre. Por suksesi i promotorit Ndroqi nuk është kufizuar vetëm brenda kufinjve të Shqipërisë, pasi ai ia ka dalë që ta mbështesë Qaton edhe në evenimente të rëndësishme botërore, siç ishte edhe ajo ndeshje e madhe e boksierit shqiptar në Washington vitin e shkuar.

Ndonëse prezantimi i drejtuesve të rinj të Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist (FSHBP) do të bëhet të enjten në ora 10:00 në Hotel "Sheraton" në Tiranë, Ndroqi ka premtuar të sjellë një frymë tjetër të menaxhimit të këtij sporti në vendin tonë, duke siguruar që mënyra e suksesshme e menaxhimit të boksierit Kreshnik Qato do të importohet edhe në administrimin e ringut profesionist shqiptar.

a.k/e.r/NOA

KOMENTE