English

Bashkia e Tiranës, Rama: Mund të bënim më shumë, politika nuk na la

Tiranë, 24 Dhjetor NOA - Bashkia e Tiranës ka festuar në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi", mbylljen e vitit 2009. Kjo ceremoni është shoqëruar me përshëndetjen e Kryebashkiakut Edi Rama për të gjithë stafin e Bashkisë së Tiranës, me një spektakël nga këngëtarë të njohur si dhe surpriza të ndryshme.

Duke iu drejtuar stafit, nëpunësve dhe punonjësve të Bashkisë së Tiranës, Kryebashkiaku theksoi se "kur një tjetër vit po ikën dhe një vit tjetër po vjen, ne jemi përsëri së bashku, të privilegjuar të mendojmë e të shërbejmë për Tiranën, qytetin tonë, kryeqytetin e Shqipërisë, modelin e ndryshimit, lokomotivën e ekonomisë e të shoqërisë shqiptare, qendrën e gravitetit kombëtar të shqiptarëve".

Kurse pohoi se shumë gjëra mbeten për t'u bërë. Në këtë pikë Rama tha se më shumë mund të bëheshin, siç theksoi, sikur të mos ndesheshim në çdo hap të rrugës sonë me arrogancën e injorancën e një politike aspak qytetare, aspak përparimtare, aspak dashamirëse me qytetin tonë.

"Ndjehem keq edhe për peshën e tepërt, krejt të pamerituar, që kjo politikë e egër, e trashë, e pandjeshme, ka vendosur edhe gjatë këtij viti mbi ju vetë, po edhe mbi familjet e fëmijët tuaj".

"Ju dhe unë, - vazhdoi Rama, - mund të bëjmë çdo vit shumë e shumë gjëra më shumë për këtë qytet sikur thjesht të na lënë të punojmë, pa na detyruar të luftojmë për të hequr pengesat artificiale që na sajojnë përditë, thjesht të na lënë të mendojmë të lirë, pa na detyruar të mendojmë për t'u çliruar përditë nga kufizimet e paligjshme që i bëhen lirisë sonë, thjesht të na lënë të zhvillojmë projektet tona shpejt, pa na tërhequr zvarrë në baltën e smirës e të cinizmit duke shkelur Kushtetutën, ligjet e normat e bashkëjetesës demokratike dhe qytetare".

Duke kujtuar se "u bënë nëntë vjet që jemi bashkë", Rama tha se nuk njihet më Tirana e dikurshme e batërdisë urbane, mjedisore, sociale dhe shtoi: "Por sa shumë akoma mund të bënim për një Tiranë zhvillimesh edhe më cilësore".

Rama tha më pas se sot janë ditët më të vështira për biznes: "Në vend se të festojnë Krishtlindjen e Vitin e Ri, të shesin më shumë e madje me çmime të ulura festash, biznesmenët e vegjël të Tiranës në dyqanet e mbytura nga listat e borxhlinjve,  janë përpara një janari të tmerrshëm me rritje të barrës fiskale e të faturës së energjisë e cila rritet për biznesin e vogël jo 13, po 22%, një zot e di pse edhe më shumë sesa për biznesin e madh".

Ne s'mund të zgjidhim çdo hall të njerëzve, aq më shumë në kushtet kur s'na kanë lënë shumëçka në dorë, por ne duhet të qajmë absolutisht çdo hall me ta dhe duhet të ndihmojmë me durim çdo qytetar që troket në derën tonë për të kuptuar arsyen pse Bashkia e Tiranës nuk mund të bëjë më shumë për ujin e pijshëm, për shkarkimin e ujërave, për rrjedhshmërinë e trafikut, për punësimin e strehimin social, për ndihmën ndaj të varfërve e për të tjera gjëra që mbeten, pas njëzet vjetësh demokraci, një kompetencë e tepërt në duart e qeverisë dhe një borxh i pajustifikueshëm i qeverisë ndaj qytetarëve të Tiranës, - tha Rama në mbyllje të fjalës së tij.

e.r/NOA

KOMENTE