English

Biznesmeni Ndroqi prezantohet si presidenti i Federatës së Boksit

Tiranë, 24 Dhjetor, NOA - Promotori i boksierit Kreshnik Qato dhe biznesmeni i njohur, Ylli Ndroqi, është prezantuar sot përmes një ceremonie të veçantë si presidenti i ri i Federatës së Boksit Profesionist.

Gjatë fjalës që mbajti në këtë ceremoni, Ndroqi u shpreh se ndihej i privilegjuar që Federata e zgjodhi President dhe se ai do të donte ta çonte para boksin shqiptar në gjithë ringjet e Evropës dhe botës.

Nga ana tjetër, Ndroqi vlerësoi punën e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri për mjediset e stërvitjes së boksierëve.

Por ai deklaroi se për herë të parë do sjellë në Shqipëri në boksin profesionist edhe vajza duke u shprehur i sigurt se Federata e Boksit Profesionist do ketë sukses jo vetëm në Shqipëri, por në Evropë dhe botë.

Ndërkaq, krahas konfirmimit të Ylli Ndroqit në postin e presidentit të saj, Federata Shqiptare e Boksit Profesionist ka emëruar si Sekretare të Përgjithshme të saj bashkëshorten e Kreshnik Qatos, Anila Qaton, ndërsa presidenti i deritanishëm, Hamdi Uka, është caktuar drejtor teknik i këtij organizmi, ndërsa një tjetër figurë e ringut shqiptar, Bashkim Mërtiri, është zgjedhur inspektor teknik dhe në bordin drejtues bën pjesë edhe një nga legjendat e dorezave shqiptare, Ali Kastrati.

n.e/NOA

KOMENTE