Tiranë, 24 dhjetor NOA - Spitalet e vendit do të ofrojnë shërbim 24 orë për natën e ndërrimit të viteve dhe ditët e para të vitit të ri.
Ky është urdhri më i ri i ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili i cili u ka kërkuar të enjten drejtuesve të lartë të strukturave shëndetësore, spitalet e maternitetet të përcaktojnë ekipet e mjekëve e infermierëve që do të punojnë në këto ditë dhe gjithçka që do tu nevojitet atyre për ofrimin e një shërbimi cilësor ndaj pacientit.
"Të merren të gjitha masat për sigurimin e materialeve mjekësore dhe medikamenteve që nevojiten sidomos në shërbimet e urgjencës. Përforcimin e ekipeve të rojës duke afishuar listat përkatëse. Shefat e shërbimeve të përcaktojnë specialistët që do të jenë në gatishmëri në rast se paraqitet nevoja, duke afishuar listën pranë shërbimeve përkatëse dhe të urgjencës", tha Vasili.
Ministri ka qenë i prerë në komunikimin me drejtorët e spitaleve rajonale të vendit. Ai ka theksuar se s'do të tolerohet asnjë çorganizim dhe veçanërisht mjekët të kenë etikë komunikimi të lartë me pacientët duke mos harruar që telefonat privatë të jenë të hapur në çdo kohë.
Në udhëzimin e tij ministri, Vasili ka kërkuar nga spitalet të marrin masa që sidomos në urgjenca të mos mungojë asnjë material mjekësor apo medikamente të nevojshme për çdo rast që do të paraqitet.
b.m/NOA