English

Policia e Shtetit: Lidhjet e Begës me "Bandën e Aldo Bares"

Tiranë, 24 Dhjetor NOA -Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duke konfirmuar sonte arrestimin e 38-vjeçarit Bega, tha se ai ishte i njohur me disa emra, si Edmond Irfan Bega, Manoli Irfan Bega apo edhe Saimir Sina, si dhe Belul Gjahtari.

Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar tha se është bërë e mundur kapja në Tiranë e 38-vjeçarit Bega, i cili kishte një aktivitet privat.

"Ndaj Begës, u ekzekutua masa e sigurisë "arrest në burg" vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë me vendim nr.1157 datë 24.12.2009, për efekt të njohjes së Vendimit Penal nr.1735, datë 22.04.2008, të Gjykatës së Apelit në Torino-Itali, që e ka gjykuar dhe dënuar në mungesë me 13 vjet burg", - sqaroi policia.

Bega është akuzuar dhe dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda si mbajtja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.

Veprimtaria ku Bega dyshohet se është i përfshirë përmban elementet e organizatës kriminale ku bënin pjesë dhe Aldo Bare, Enver Dondollaku, etj.

Policia madje konfirmoi se Bega ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit, koordinonte aktivitetin e pjesëtarëve të tjerë të organizatës dhe orientonte mënyrën e shpërndarjes dhe administrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Pasi u vunë në dijeni mbi arrestimin, autoritetet më të larta policore Italiane kanë dërguar përgëzimet e tyre mbi veprimet e shpejta dhe profesionale të policisë shqiptare lidhur me këtë rast, - tha Klejda Plangarica, zëdhënëse e Policisë së Shtetit.

Ajo pohoi se strukturat e posaçme po vazhdojnë punën për zbardhjen në tërësi të aktivitetit të tij kriminal dhe pasuror.

e.r/NOA

Â

KOMENTE