Tiranë, 24 dhjetor, NOA - Vetëm brenda një dite forcat e Policisë Rrugore të Tiranës kanë vendosur 710 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, sikundër kanë pezulluar edhe 9 leje drejtimi.
Lajmi konfirmohet nga burimet e policisë së Tiranës për agjencinë e Lajmeve NOA, të cilat pohojnë se këto masa janë marrë në vazhdën e aksionit për ndërgjegjësimin e shoferëve për zbatimin me përpikmëri të normave dhe rregullave të Kodit Rrugor.
Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Ndërkaq, bëhet me dijeni se po vazhdojnë kontrollet edhe ndaj atyre drejtuesve të mjeteve të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre dhe i fton ata që të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqipëtare.
Sipas të dhënave, vetëm gjatë ditës së djeshme u shlyen 165 detyrime nga drejtuesit e automjeteve pranë filialeve të postës. n.e/NOA
Â
Â