Prishtinë, 24 dhjetor, NOA - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në një intervistë për "Zërin e Amerikës" se zgjedhjet për pushtetin lokal ishin një sprovë e mirë për shtetin e ri, i cili duhet të përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme, që sipas tij, duhet të mbahen vitit e ardhshëm.
Ai shpreh bindjen se gjendje në veriun e Kosovës mund të zgjidhet dhe se kjo do të ishte edhe në të mirë të gjithë rajonit.
 Zoti Haradinaj, viti 2009 në Kosovë po përmbyllet me një proces zgjedhor i cili është vlerësuar shumë herë një sprovë për shtetin e ri. A e kaloi shteti këtë sprovë?
- Po, Kosova e ka kaluar testin e parë të zgjedhjeve komunale me sfida edhe me defekte të caktuara por e kemi kaluar. Vullneti i qytetarëve të vendit por edhe i politikë vendore është me i dhënë impute pozitive proceseve të brendshme dhe mendoj se po.
Ju i përmendet defektet, por ka pasur pos tjerash edhe një gjuhë më të ashpër politike, e pazakonshme në të kaluarën në Kosovë. A e dëmton procesin kjo gjuhë?
- Tani, kur flasim për nivelin tonë të politikë bërjes, të qeveri bërjes edhe të proceseve si zgjedhjet, unë kam pakënaqësitë e mia në këtë proces. Por, ndjehem mirë që nuk kemi dështuar, do të thotë që e kemi kaluar një test të tillë. Mirëpo, i kam pakënaqësitë dhe vërejtjet e mia dhe mendoj se janë serioze në proces. Kuptohet se rolin kryesor për të ndihmuar nivelin e demokracisë në një proces zgjedhor e kanë institucionet e vendit, udhëheqësit e institucioneve. Një rol të rëndësishëm e ka edhe opozita. Ne veprojmë në situatë specifike në Kosovë. Mund t'ju them sinqerisht, meqë është fund viti dhe ndërrim i moteve me tonët më pozitive, por ne jemi gjetur në vështirësi të mëdha me e krye punën tonë si opozitë në vend.
Përse zoti Haradinaj? Ku është kjo vështirësi?
- Ka papajtueshmëri të madhe për me lejue funksionimin e demokracisë, të mendimit politik ndryshe, të funksioneve të opozitës nga pushteti i sotëm. Këto papajtueshmëri janë edhe konkrete te ndërhyrja në të gjitha instrumentet e nevojshme për me u zhvillue demokracia dhe me funksionue opozita, te dominimi në Parlament, të ndërhyrjet në media, te ndërhyrjet në të gjitha fushat ku opozita në vend e ka obligim me i ushtrue funksionet e veta. Pra ka qenë një periudhë, të them ashtu, një tendencë e një mohimi dhe përjashtimi total.
Ku është zgjidhja nga kjo situatë?
- Po, ne kemi para vetes një vit që po fillon, një vit i zgjedhjeve parlamentare. Dalja më e mirë nga trendet e caktuara, sidomos për rastin tonë, nga trendet që kemi që nuk janë më të mirat për Kosovën, ne jemi të vetëdijshëm se moskryerja e mirë e punëve të shtëpisë, ndikon edhe ne pozicionin e Kosovës jashtë. Kosova është shumë e interesuar për pozicionimin e vet më të mirë në arenën ndërkombëtare dhe për anëtarësimin në BE, në NATO, anëtarësimin në OKB. Pra dalja e mirë dhe dalje legjitime do të ishin zgjedhjet parlamentare dhe të zgjedhurit e qytetarëve që do të jenë të përgjegjshëm për qytetarët e vendit dhe për shoqërinë.
Zoti Haradinaj, ju kërkoni zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por, në anën tjetër partitë në pushtet thonë se qeveria është funksionale, është e qëndrueshme dhe zgjedhjet duhet të mbahen atëherë kur janë të përcaktuara?
- Qeveria mund të vlerësohet e tillë nga qeveritarët, por vlerësim serioz japin qytetarët e vendit, jep gjendja e vendit. Në vlerësimet për gjendjen në vend, ne nuk jemi lavdëruar, këtë vit jo se jo. Ka shumë argumente që nuk do të dëshiroja t'i kthej në listë se zgjedhjet janë të pashmangshme dhe të nevojshme, janë në të mirën e të gjithë njerëzve të vendit, mendoj edhe në të mirën e pushtetarëve të sotëm, qeveritarëve, sepse ndalja e këtyre trendëve do të ishte një kontribut shumë i madh pozitiv për Kosovën. Jemi të vetëdijshëm se trendet janë negative, mungesa e një agjende zhvillimore për vendin, mungesa e një agjende për aftësim të Kosovës për anëtarësim në BE, në NATO, mungesa e një agjende për një qeverisje në baza të demokracisë dhe pa fenomenet e rënda sikurse është korrupsioni. Do të thotë është duke i shkaktuar dëme vendit dhe është në të mirën e vendit me u mbajt zgjedhjet.
Zoti Haradinaj, kur jemi tek sfidat që e presin Kosovën në të ardhmen dhe që po e ndjekin tash e sa vjet, është edhe integrimi i pakicave kombëtare, posaçërisht i komunitetit serb dhe në veçanti si një problem kryesor është integrimi i pjesës veriore të Kosovës. Ju keni thënë se do ta bënit këtë për tre muaj. Si do ta bënit këtë?
- Ne shprehim mirënjohjen apo falënderojmë qytetarët e vendit për një klimë shumë të mirë të rendit, do të thotë rendi në Kosovë funksionon. Na vjen mirë që serbët e Kosovës, në pjesët tjera pos veriut, kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor. Ndjehemi kontribuues të gjithë së bashku në këtë drejtim, është një sukses për Kosovën. Por presim që zotësitë tona në këtë drejtim të vijnë në shprehje edhe në veriun e vendit. Unë mendoj se ka mjaft terren me punue në veriun e Kosovës që me ndodhë integrimi dhe me u vendos rendi e ligji në veri. Nga njohjet e mia për gjendjen në veri dhe nga analiza ime, është një gjendje e zgjidhshme. Ne i kemi ekzagjerua, po them ashtu, e kemi sjellë veten para pengesave edhe joreale për me e zgjedhe çështjen veriut. me e integrua veriun...
Siç janë....?
- Ka një barrierë psikologjike, ka barriera tjera të krijuara që munden me ndryshue. Ka pastaj barrierë të mosbesimit se mundemi me zbatue agjendën e Kosovën në veri, deri te shkalla e mosndërmarrjes së veprimeve të nevojshme. Ka edhe veprime të gabuara si situata e, po them ashtu, larjes së fytyrës me ndërtim të disa shtëpive të cilat krijojnë jo klimën e duhur. Veriu është situatë e krijimit të një klime të duhur dhe e vendosjes së rendit dhe të ligjit, e cila gjendje mund të zbatohet nga Prishtina zyrtare duke llogaritur edhe në funksionet konkrete që kanë mekanizmat në veri së bashku me ta.
A përfshinë kjo përdorimin e forcës, zoti Haradinaj, duke pasur parasysh gjendjen atje?
- Nuk bëhet fjalë për forcë, në asnjë mënyrë. Ne kemi një situatë të vendosjes së një rendi kushtetues, të një rëndi ligjor i cili është i ndërtuar mbi bazën e standardeve të avancuara, demokracive të avancuara. Kushtetuta jonë është ndër kushtetutat me të avancuara në rajon. Legjislacioni ynë, ligjet janë më të avancuarat të mundshme, për shkak të se janë të rinj dhe janë edhe produkt i marrëveshjeve me palën ndërkombëtare rreth statusit, rreth pakos së Ahtisaarit. Pra bëhet fjalë për zbatim të një rregullative, të një ligjshmërie jashtëzakonisht të avancuar e cila u mundëson serbëve të veriut që të vijnë në shprehje edhe në jetën personale e profesionale, por edhe në jetën politike dhe të marrjes së vendimeve në veri. Dhe njëkohësisht do të jetë shërbimi më i mirë që Kosova mund t'i bëjë edhe rajonit me ndërprerjen e nje gjendjeje të tillë që i shkakton dëme, çrregullon ekonomitë e vendeve të rajonit, por edhe çrregullon rendin dhe ligjshmërinë në rajon. Pra nuk besoj se do të ketë humbës në procesin e vendosjes së rregullit, të ligjshmërisë dhe të një klime të integrimit në veri.
Zoti Haradinaj, përmendët pjesëmarrjen e konsiderueshme të pjesëtarëve të komunitetit serb në zgjedhjet lokale në Kosovë, flasim për serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër, ndërsa kemi një mospërfshirje gati të tërësishme të pjesëtarëve të komunitetit serb në veriun e Kosovës. A po e përvijon edhe kjo mënyrë e votimit synimin për ndarjen tokësore të Kosovës?
- Ka një, po them ashtu, ka argumente ose ka veprime që shkojnë nga drejtimi i nuk po them një ndarje krejtësisht politike e fizike, por nga veprimet ndaraz. E them me bindjen e madhe, nuk është e paarritshme që edhe në veri, serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës. Nuk është e paarritshme, nuk është një proces që ne nuk e njohim dhe nuk mund ta arrijmë në Kosovë. Unë jam i bindur thellësisht se ata do të marrin pjesë në zgjedhje, në rrethana të ardhshme, në kohën e ardhshme.
Haradinaj, Kosova po mbushë dy vjet që kur ka shpallur pavarësinë e saj dhe deri tash është njohur nga 64 vende të botës. A është e mjaftueshme kjo njohje dhe cfarë mund të bëjë Prishtina më shumë për të shtuar numrin e këtyre njohjeve?
- E para, faleminderit vendeve që na kanë njohur, faleminderit miqve që kanë ndihmuar me paq njohje. Ne kemi nevojë për njohjet që kemi marrë dhe kemi nevojë për njohje të tjera. Mendoj se Prishtina zyrtare nuk ka qenë në nivel të punës, të përgjegjësisë, të rolit që është dashur të ketë. Mendoj se edhe e ka vështirësue punën e miqve, mendoj se kemi mungue në marrjen e njohjeve që kemi mundur t'i marrim. Mirëpo kjo nuk do të thotë se ky proces ka një epilog, ky është një proces në vazhdim dhe ne do të punojmë se bashku si Kosovës por besoj edhe me të gjithë miqtë e Kosovës, ata që besojnë në Kosovën, ata që besojnë në të vërtetën e Kosovës, që të marrim njohje tjera. Veçanërisht është me interes që vendet e BE-së të përmbyllin procesin e njohjes për Kosovën, pesë vendet që nuk e kanë njoftë ende Kosovën, por edhe vendet tjera dhe duhet të jemi të fokusuar në këtë drejtim.
Mosnjohja nga pesë vendet e BE-së, Kosovën e la edhe jashtë procesit të liberalizimit të vizave tash kur fqinjët e saj kanë filluar udhëtimin lirshëm. A ka rrezik për Kosovën që të hyjë në një fazë të izolimit të saj?
- Kosova është në një fazë të izolimit. Ky izolim vjen në mënyra të ndryshme aktualisht. Mirëpo, duhet të punojmë të sinkronizuar që pengesat për Kosovën t'i evitojmë me kujdes së bashku. Sikurse të gjithë e dimë, orientimi i popullit të Kosovës është perëndimor, është pro evropian, pro amerikan. Në këtë orientim, qytetarët e vendit janë të gatshëm konkretisht me veprimet e veta, me punën e tyre. Kërkohet një agjendë mirë e punuar nga Prishtina zyrtare dhe e zbatueshme.
Zoti Haradinaj po hyjmë në një vit të ri. Çfarë mund të presë Kosova, qytetarët e saj dhe cila është porosia juaj për ta?
- Përmbyllim një vit me zhvillime që e kane përshkuar jetën tonë. Por një pjesë e këtyre zhvillimeve vazhdojnë në vitin që vjen, janë po them ashtu, në zhvillim e sipër. Për qytetarët e Kosovës do të ishte me interes më ju dhanë mundësinë me vendosë për udhëheqjen e vendit me zgjedhje. A është më rëndë ta lodhim popullin me zgjedhje apo me e lodhë popullin me gjendjen që është? Është më mirë me e lodhë më zgjedhje edhe njëherë se ne patëm zgjedhje në këtë vit, sesa me e lodh me gjendjen e tashme.
VOA
Â
Â
Â
Â
Â