English

Vizita e Petroviç në Tiranë, Vetëvendosja: Deklarata e Berishës një befasi e hidhur

Prishtinë, 24 dhjetor NOA - Lëvizja Vetëvendosja ka reaguar ashpër për pritjen që iu bë në Tiranë ,përfaqësuesve të minoritetit serb në Kosovë.

"Një ndër befasitë e fundvitit për qytetarët tanë ishte edhe vizita në Tiranë e përfaqësuesve të minoritetit serb në Kosovë, të udhëhequr nga kryetari i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviq, njëkohësisht edhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Në Tiranë ai u prit nga niveli më i lartë: Presidenti shqiptar, Bamir Topi, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Ministri i Jashtëm Ilir Meta etj" thuhej në deklaratën e lëshuar sot nga lëvizja Vetëvendosja.

"Por përderisa vetë vizita dhe pritja e Petroviqit mund të cilësohet si shfaqje politike, dy deklarata të kryeministrit Berisha janë befasi e hidhur për shumicën e qytetarëve shqiptarë ngado që jetojnë ata. Deklarimi i kryeministrit për përmirësim të marrëdhënieve mes shtetit shqiptar dhe atij serb në kohën kur ky i fundit po shfrytëzon çdo mjet e strategji për ta dobësuar fuqinë politike shqiptare, është pa vend. Kryeministri Berisha sikur harroi se ishte Serbia që para disa javësh me gjithë forcë lobonte kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë. Ky lëshim pe i autoriteteve të Shqipërisë vetëm sa forcon pozitën dominuese të Serbisë në rajon dhe, rrjedhimisht, dobëson pozitën e Kosovës" thuhej më tej në deklaratë.

Vetëvendosja theksoi se mosnjohja e Kosovës, por edhe lobimi agresiv i Serbisë kundër njohjeve nga vendet tjera, janë një shkak i mjaftueshëm që Shqipëria të mos normalizojë marrëdhëniet e saj me të, pasi që, për dallim nga luksi që kanë disa shtete tjera për neutralitet në këtë çështje, Shqipërisë nuk i takon ky rol.

"Edhe oferta për ndihmë materiale komunës së Graçanicës dhe deklarimi i Kryeministrit Berisha se ai edhe publikisht por edhe privatisht ka përkrahur decentralizimin etnik, është një ogur i keq. Kjo është ndihmë për një proces thellësisht negativ dhe të rrezikshëm për të ardhmen e integritetit territorial të Kosovës. Në vend që komunës serbe të Graçanicës t'i jepen 400 mijë euro, do të duhej që me këto të ndihmohej shëndetësia apo arsimi në Kosovë. Përmirësimi i gjendjes në këto dy fusha do t'i kontribuonte integrimit të pakicave në Kosovë" deklaroi Vetëvendosja

k.k/NOA

KOMENTE