English

A jemi demokratë?

Personalisht bëj ç'është e mundur të jem (në mos, të sillem) si demokrat, por - e përsëris - nuk ia dal dot. Nuk është e lehtë të bëjmë luftë me limitet tona individuale në këtë lëmë, e nuk është e lehtë në të njëjtën kohë të mos kushtëzohemi prej një habitati jodemokratik

Nga Mustafa Nano Herë pas here, vetë me vete nuk e kam për gjë të ngre pyetjen - "A jam demokrat vallë?", dhe pothuaj në të gjitha rastet është pothuajse e njëjta përgjigje: "Jo, nuk jam". Nuk është e lehtë me qenë demokrat. Nuk është punë zgjedhjeje, dëshire a vullneti individual. Është shumë më shumë sesa kaq. Është punë formimi sistematik dhe të ditëpërditshëm, i cili fillon qysh herët, por edhe kaq nuk është mjaft. Lipset, mesa duket, edhe një kontekst demokratik përtej individual; me fjalë të tjera, mund të qëllojë që ti të jesh i edukuar e i formuar si demokrat, por nuk do të sillesh si i tillë nëse rrotull teje demokratët mungojnë. Dhe demokratët mungojnë që ç'ke me të, ngaqë ne nuk kemi pasur as tradita e as institucione, as shkolla që mund ta bënin këtë formim. Po si kështu? Nuk paska asnjë demokrat për be? Hëm, për mua nuk ka asnjë. Po, mund të ketë gjysmë e çerekdemokratë, mund të ketë njerëz që përpiqen ta mundin deficitin e tyre demokratik, mund të ketë njerëz që sforcohen për t'u dukur si demokratë (është i paqortueshëm ky sforcim, pasi në rrethanat kur nuk je demokrat, nuk është pak edhe të dukesh si i tillë), por çështja është që nuk gjenden demokratë gjenuinë e safi. Personalisht bëj ç'është e mundur të jem (në mos, të sillem) si demokrat, por - e përsëris - nuk ia dal dot. Nuk është e lehtë të bëjmë luftë me limitet tona individuale në këtë lëmë, e nuk është e lehtë në të njëjtën kohë të mos kushtëzohemi prej një habitati jodemokratik. Po shpjegohem më tej, e po e filloj me përkufizimin. Demokrat është ai që bie dakord me (e që i ngre të gjitha qëndrimet e opinionet e veta mbi) tezën se vendimet merren nga shumica. Thënë ndryshe, është kjo shumicë që përcakton se kush do të qeverisë në harkun e katër, pesë, gjashtë a shtatë viteve. Më tej, demokrat është ai që kundërshtarit i njeh të drejtën e ekzistencës, të drejtën për të marrë pjesë në garën për pushtet, të drejtën për ta fituar këtë pushtet, e me këtë njeh dhe detyrimin e vet për ta njohur e pranuar këtë pushtet të ushtruar nga kundërshtarët. Për një demokrat nuk është i rëndësishëm pushteti, por është e rëndësishme gara; nuk është e rëndësishme të fitojë, por t'i respektojë rregullat e lojës; nuk është e rëndësishme ta mundë kundërshtarin, por ta respektojë atë. Për një demokrat në pushtet, suksesi i qeverisjes është më pak i rëndësishëm sesa hapësira që i duhet krijuar opozitës për t'u shprehur e realizuar. Demokrat është ai që, edhe duke mos hequr dorë prej bindjeve të veta, arrin të marrë me mend se e vërteta mund të qëndrojë edhe nga ana tjetër e frontit. Demokrat është ai që, edhe pse nuk bie kurrë dakord me idetë e kundërshtarit, bën sforcimin voltaire'ian në favor të situatës, në të cilën kundërshtari mund t'i shprehë ato ide. Demokrat është ai që të keqen nuk e sheh te fjala e lirë, por te liria e munguar e shprehjes. Demokrat është ai që zërat e ndryshëm brenda partisë i konsideron pasuri, e jo herezi. Demokrat është ai që hahet me idetë e kundërshtarit, e nuk kacafytet me vetë kundërshtarin. Demokrat është ai që synon të zhvleftësojë e të mundë kauzën e kundërshtarit, e jo ai që synon të turpërojë e të poshtërojë këtë të fundit. Demokrat është që e pranon (madje, dhe e përshëndet) pa një, pa dy fitoren e kundërshtarit. Demokrat nuk mund të jenë ata që thonë apo besojnë se e vërteta brenda kutive të votimit është ogurzezë. "Po thua që nuk paska rëndësi pushteti, nuk paska rëndësi të fitosh zgjedhjet?", mund të ngrihet një pyetje. Po, këtë po them. Për një demokrat këto vijnë në plan të dytë; në plan të parë është gara e barabartë, është respekti për kundërshtarin, është liria e shprehjes. Kush vendos në plan të parë pushtetin e fitoren e zgjedhjeve mund të jetë ç'të doni, por nuk mund të jetë demokrat. Kush beson se ai vetë apo dikush tjetër "mund të transformohet në demokrat pasi ka ardhur në pushtet me mjete jodemokratike", është një mashtrues sharlatan. Ose një budalla. "Po mirë", mund të thotë dikush, "e morëm vesh se ç'është një demokrat. Por, mund të na shpjegosh se pse qenka e rëndësishme të jesh demokrat? Pse duhet të na hyjë në hise neve nëse një shtetar i yni është demokrat, apo jo? Për ne mjafton që të qeverisë mirë". Përgjigjen e kam të hazërtë: Një njeri që nuk është demokrat nuk ka gjasa që të qeverisë mirë. Nuk mund të ndodhë në asnjë rrethanë që një njeri të vjedhë votat, të ndalojë zërat kundërshtarë, t'i shtypë vullnetet opozitare me synimin për t'i vjedhur sërish votat, dhe pas të gjitha këtyre të qeverisë mirë. Jo, kjo s'mund të ndodhë. Kush do pushtet me çdo kusht, nuk e do këtë të fundit për të bërë punë të mira në të mirë të së mirës publike; përkundrazi, e do ose/edhe për një fiksacion të vetin (ndonjë paranojak), ose/edhe për një interes banal të vetin (ndonjë kusar). Përveç kësaj, komunizmin e përmbysëm me shpresën e zotimin për të ndërtuar në vend të tij një regjim demokratik, ku mbajtësit e ushtruesit e pushtetit të zgjidhen prej shumicës së votuesve. Në kohët kur po i jepnim një të shtyrë komunizmit në agoni, shumica e njerëzve, edhe pse e kërkonte me zë të lartë demokracinë ("liri-demokraci", kanë thirrur atë mot), nuk dinin ndonjë gjë kushedi se çfarë lidhur me të. Por, amá kaq gjë e dinin: në demokraci është shumica që vendos se kush do ta qeverisë vendin. Këtë gjë pra e kemi kërkuar dhe e kemi premtuar. Dhe duhet ta aplikojmë. Në mos, le të kenë kurajën e të bërtasin (ata që e shohin ndryshe këtë gjë), se "sistemi politik që duam të ndërtojmë nuk është e nuk ka pse të jetë demokratik". E thonë dot këtë? Nëse e thonë, do na bëjnë një të mirë, pasi do hapin një debat të madh, i cili duhej hapur qysh në krye të herës, atëherë kur ne, në vend të zgjidhnim, rendëm pas "modës" demokratike. Do ishte një alamet debati. Hë, kanë kurajë ta hapin këtë debat? Nuk besoj. E megjithatë, unë po bëj sikur po marr pjesë në këtë debat, që në fakt s'e ka hapur askush, e që në fakt nuk mund ta hapë një njeri si unë, që bën çmos të besojë tek demokracia (pa qenë demokrat 100 për qind, kuptohet). E po them vringthi: demokracia është sistemi i duhur i qeverisjes. Sigurisht, është një sistem qeverisjeje lehtësisht i cenueshëm e jo gjithmonë efikas, sidomos kur duhet adoptuar prej shoqërish jo fort nazike në pikëpamje kulturore e jo fort të stërvitura në pikëpamje civile e civike. Dhe ne shqiptarët, edhe pse nuk jemi kaq nazikë, edhe pse nuk jemi kaq të stërvitur, nuk kemi rrugë tjetër. Pse? Së pari, regjimet hibride edhe shihen me sy të lig nga Europa që na asiston e na monitoron (nuk bëjmë dot pa këtë asistencë e pa këtë monitorim), edhe kanë qëlluar të jenë të gjëmshëm këtejpari (e pamë se ku na çoi regjimi i periudhës 1992-1997), e së dyti, ne shqiptarët, edhe pse nuk dimë mirë se ç'na qenka - e pse na u dashka - demokracia, dimë se ç'janë regjimet e satrapëve (ai i Zogut, ai i Enver Hoxhës dhe së fundmi regjimet e Saliut). E kështu, edhe pse nuk dimë se ç'na duhet, me siguri duhet të dimë se ç'nuk na duhet. Regjimet jodemokratike nuk na duhen. Ecim më tej. Është e vërtetë që deri nga fillimi i shekullit të XX'të, d.m.th., për qindra vjet me radhë, regjimet antidemokratike kanë qenë në modë dhe kanë qenë të legjitimuar prej idesë se turmat nuk kanë kompetencën e duhur për të marrë pjesë në qeverisjen e vendit, apo për të vendosur se kush duhet t'i qeverisë (nuk ka qenë pa gjë ky pretendim, pasi shumica dërrmuese e njerëzve kanë qenë të paarsimuar dhe të padijshëm). Ka mbizotëruar ideja se puna e qeverisjes së vendit duhet t'u lihet pak njerëzve të mençur. Ose ndoshta njeriut më të mençur, i cili shpeshherë e ka përftuar këtë status në luftëra kundër të tjerëve dhe me forcën e ushtruar ndaj të vetëve. Ngadalë-ngadalë, ka ardhur puna që këtë status ta shesë si një dhuratë apo porosi hyjnish. Sot nuk është më kështu. Ka më shumë se një shekull që demokracia konsiderohet si një sistem më i mirë qeverisjeje në atë pjesë të botës që është më e begatë (është më e begatë sipas shumë gjasave edhe prej demokracisë). Po pse na qenka një sistem më i mirë qeverisjeje? Në këtë mes nuk ka nevojë të bësh shpikje. Është mjaft të përmendësh ato tipare të demokracisë të cilat edhe e dallojnë prej sistemesh të tjerë qeverisjeje, edhe e bëjnë demokracinë të pranueshme, të pëlqyeshme e të kërkueshme nga shumica e njerëzve të kësaj bote. Për shembull? Këto po thërres në ndihmë Robert A. Dahl'in. Dhe po e perifrazoj e sintetizoj mendimin e tij në mënyrën time. Së pari, demokracia shmang tiraninë dhe nuk besohet se ka nevojë për prova në favor të tezës se tirania nuk pëlqehet nga qeniet humane, pavarësisht nga niveli kulturor, rangu social e gjendja ekonomike e këtyre të fundit. Së dyti, demokracia është garanci që ne qytetarët të gëzojmë një numër të drejtash themelore të cilat mohohen prej regjimesh despotike. Së treti, demokracia jo vetëm që s'na pengon, por përkundrazi na lejon e na nxit të mbrojmë interesat tona, gjë që s'mund të mendohet në regjime despotike. Së katërti, demokracia në garanton një barazi më të lartë politike. Etj., etj., etj. Ne shqiptarët po heqim shumë të ndërtojmë demokracinë, sepse nuk jemi demokratë. Kur thash pak më sipër se unë vetë nuk jam demokrat, nuk është se këtë qasje introspektive e stisa për t'u bërë më i besueshëm në pjesën impersonale të arsyetimit tim. Jo, e thashë pasi kështu është dhe kjo dallohet lehtë-lehtë e herë-heras tek fakti që e gjej veten të prirur të paragjykoj rreshtimin politik të atyre që s'janë dakord me mua. Ka më keq sesa unë, të cilët nuk limitohen me paragjykime e përbuzje; ata shkojnë deri tek dhuna. Dua të them se ata jo vetëm e legjitimojnë dhunën e ushtruar nga një pushtet kundër dikujt apo nga dikush kundër njerëzve të një pushteti, por edhe e ushtrojnë vetë këtë dhunë. Po pse sillemi kështu? Sillemi kështu ngaqë thellë-thellë fitoren e kundërshtarëve e shohim si një lajthitje të zgjedhësve injorantë e të manipuluar; ose ngaqë thellë-thellë jemi të shock'uar nga mendjelehtësia me të cilën zgjedhësit i thonë "jo" alternativës që ne ofrojmë e përfaqësojmë, dhe i thonë "po" alternativës medemek të mbrapshtë të kundërshtarëve tanë. Afërmendsh, nuk e kemi hiç mirë nëse i japim vetes të drejtë të mendojmë se "këtë herë zgjedhësit kanë gabuar", e për këtë arsye "zgjedhja e tyre duhet përbuzur, apo më keq akoma, duhet refuzuar." Dhe harrojmë se ta duash demokracinë veç në rrethanat kur fryti i aplikimit të saj është konsensusi në favor të alternativës sonë, do të thotë as më pak, as më shumë të jesh antidemokrat par excellence. Kjo është një nga arsyet pse Shqipëria është një demokraci e pamundur. Jemi, në fakt, e vetmja demokraci e pamundur e Europës. S'kemi kaluar ende provën e zgjedhjeve "free and fair", rrjedhimisht të pakontestueshme. Është turp? Edhe mund të jetë. Por, është kjo që ne mund të prodhojmë. Hë për hë. Gjë që s'mund dhe s'duhet të na bëjë të mendojmë megjithatë se regjimet antidemokratike janë një gjë që u vjen më shumë për osh e pas midesë shqiptarëve.Â

KOMENTE