English

Cirku mbërrin në stacionin e 50-të me dy premiera të reja

Tiranë, 25 dhjetor NOA - Cirku shqiptar mbërriti në stacionin e tij të 50-të.

Për artistët dhe spektatorin e kudondodhur kjo është ora e një fati të madh. Artistët e arenës, akrobatët, ekuilibristët, xhonglerët dhe artistët e ajrit e pritën këtë ngjarje artistike me shfaqjen më të re të Cirkut të Metropolit, të titulluar "Të kapërcesh ylberin".

Një shfaqje e cila që në javën e parë solli një rekord shikuesish dhe po tregon njëherësh ndryshimin dhe zhvillimet më të reja, të ndodhura këto vitet e fundit në këtë arenë.

Të përgjegjshëm për arritjet e tyre sa teknike, aq edhe artistike, të mbështetur në çdo etapë nga ndërhyrjet e domosdoshme në teknikë dhe performancë, artistët e këtij cirku arritën të realizonin një ëndërr që duket se përgjatë këtyre viteve jo të lehtë të historisë së cirkut, nuk është shuar asnjëherë.

"Jemi krenarë që në këtë premierë të 50-vjetorit kemi prezent legjendën e gjallë të Cirkut Shqiptar, Telat Agollin dhe njëherësh edhe shpresën që na falin talentet e reja si akrobatet e Studios së Cirkut, që tregojnë vazhdimësinë, pasionin, ëndrrën, që nuk u ka munguar asnjëherë artistëve të këtij arti. Jetë të gjatë Cirkut të Metropolit dhe suksese të mëtejshme në punën e tij artistike"- u shpreh në fillim premierë drejtori i Qendrës Metropolitane, Kiço Londo.

Ajo që vlen të përmendet në këtë premierë është gërshetimi i refleksioneve personale, eksperiencës artistike të mjeshtrave të arenës me elementët dramaturgjikë, me skenografinë, krijimet muzikore dhe ndriçimin, që shënon hapa në rritje në këtë art të lartësisë, rrezikut dhe sfidave të reja.

Në një strategji të re të afrimit me publikun, në një konceptim dhe riorganizim të të gjithë numrave artistikë, kjo premierë do të ndiqet nga shfaqja"Qielli pikon yje".

Duket se ndryshimi i arenës së cirkut ka nisur që në prezantimin me kulturë të posterave dhe fletëpalosjeve që lajmërojnë premierat më të reja të këtij cirku.

Në një prezantim grafik dhe design kontemporan, Cirku Shqiptar, në këtë përvjetor të 50-të të tij duket se bëhet fillimi i një ere të re, e cila po zbut forcën e treguar më parë dhe po mposht gravitetin e traditës, me të cilën jemi mësuar të ndjekim artistët e tij.

Në një elegancë dhe performancë interesante do të shfaqet numri artistik "Rrathët" interpretuar nga Stela Blloshmi, Manushaqe Mullai dhe Daniela Daci.

Tre vajza që prekin lartësitë duke krijuar figura akrobatike, që jo rrallë na afrojnë me dëshirën për të prekur të pamundurën. Dhe, këto akrobate, tregojnë se munden t'u përgjigjen sfidave të reja, që kërkon sot cirku kontemporan.

Premiera e re do të realizohet në një regji të përgjithshme nga Kiço Londo, ku elementi dramaturgjik do të mishërohet në një fëmijë, që do të simbolizojë fillesën, vazhdimësinë dhe shpresën e Cirkut Shqiptar, ndërthurur me elementët artistikë.

Shfaqja do të mirëpresë spektatorin me pjesëmarrjen e artistëve të cirkut që do të shpalosin aftësitë e tyre krijuese në numrat "Vertikale me rrëshqitje" nga mjeshtri Fatos Alla, "Litari" nga Fitnete Duro, "Xhongler me topa" nga Sokrat Buza dhe Haki, "Shkalla e ekuilibrit" nga Xhejms Kodra, "Dyshe force" nga Fiqiri Luli dhe Sabina Troshku, etj.

Numrat artistikë janë realizuar nga Mjeshtrit e Merituar : Fatos Roshi, Kujtim Duni, Pavli Sallata, Ali Jucja. Elementët e lartësisë do të sillen nga akrobatët Klaudia Duro, Loreta Lika, Brunilda Koka, të ndihmuar nga ekuilibristi dhe artisti i numrave-bazament, Rubin Zuna.

Freski dhe larmi sjellin numrat me kafshë, realizuar nga mjeshtri Alush Iljani, si dhe pjesëmarrja e jashtëzakonshme e të kudondodhurve kllounë, Vilson Gjonçaj dhe Novruz Hyseni, që nëpërmjet kllounadave afrojnë spektatorin e vogël në arenën e cirkut, duke i bërë shpesh herë pjesëmarrës të këtij arti popullor.

Pjesë e premierës do të jenë edhe fëmijët e grupit "Spektër" dhe akrobatët e vegjël të Studios së Cirkut, nga mosha 5-15 vjeç, që sjellin atmosferën e festave të fundvitit në numrat e ndryshëm akrobatikë dhe humoristikë.

Â

KOMENTE