Pekin, 25 dhjetor, NOA - Një gjykatë kineze ka dënuar me 11 vjet burg disidentin e njohur Liu Xiaobo, i cili u shpall fajtor për akuzat e agjitacionit dhe propagandës ndaj sistemit socialist. 53-vjeçari, një ish-lektor në një prej universiteteve të Pekinit u ndalua në 8 dhjetor të vitit të kaluar, kohë kur mblidhte firma prej qytetarëve kinezë për t'i dërguar qeverisë një peticion që kërkonte më shumë liri dhe të drejta për njerëzit dhe mbi të gjitha t'i jepej fund sistemit njëpartiak në vend.
Profesori i mëparshëm i letërsisë, Liu, njihet edhe si njëri prej hartuesve të së ashtuquajturës "Karta 08", e cila angazhohet për reforma demokratike në Kinë.
Nga ana e tij, Bashkimi Europian kishte kërkuar lirimin e Liut nga autoritetet kineze, por kjo kërkesë e tij nuk ishte marrë parasysh prej tyre.
n.e/NOA