English

Emigranti gjendet i vdekur poshtë një ure pas 11 orësh, kthehej për festa në familje

Gjirokastër, 25 dhjetor NOA - Po kthehej në pranë familjes së tij për të festuar festat e fundvitit, por rruga e gjatë dhe pritja në pikën e kalimit kufitar janë bërë shkak që emigranti të humbasë kontrollin e mjetit duke gjetur vdekjen. Paulin Gjergji 41-vjeç nga Mirdita ka qëndruar i vdekur në makinën e tij për më shumë se 11 orë poshtë një ure.

Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tepelenë ka marrë sot rreth orës 11:50 një telefonatë e cila njoftonte se në aksin rrugor Tepelenë- Krahës, në vendin e quajtur Gurorja e Vasiarit, në Mogila, poshtë një ure është një makinë e kthyer përmbys, i thanë korrespondentes së NOA, burime policore lokale.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë së Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Tepelenë si dhe grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Ata kanë konstatuar se, në vendin e quajtur Gurorja e Vasiarit, në Mogila, në aksin rrugor Tepelenë - Ballsh në një kthesë të padukshme, poshtë një ure një automjei tip Honda me targa YAB 77 56, me drejtues mjeti shtetasin Paulin Gjergji41-vjeç, lindur dhe banues në Mirditë, ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura duke u përmbysur poshtë saj.

Si pasojë e kësaj daljeje nga rruga ka gjetur vdekjen drejtuesi i automjetit i cili udhëtonte i vetëm në këtë automjet nga Athina për në Mirditë.

Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezultoi se shkaku i kësaj daljeje nga rruga ka qenë pagjumësia dhe lodhja e tepërt dhe për këtë drejtuesin e automjetit e ka zënë gjumi dhe ka dalë nga rruga.

Nga verifikimet që u kryen rezulton se kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 01.00 të mëngjesit të datës 25.12.2009, por duke qene se automjeti kishte rënë poshtë urës dhe pamja ishte e kufizuar për t'u identifikuar nga drejtuesit e tjerë të automjeteve apo dhe nga policia, konstatimi ndodhi në orën 11.50 të ditës së sotme nga një qytetar i cili ishte roje në Guroren në afërsi ku ka ndodhur kjo ngjarje.

k.k/NOA

KOMENTE