Uashington, 25 dhjetor, NOA - Senati amerikan ka miratuar ligjin e ri për reformimin e sistemit shëndetësor, i cili pritet të mbulojë rreth 30 milion amerikanë që nuk kanë sigurime shëndetësore. I njohur si një nga projektet më të rëndësishme të paraqitur nga presidenti amerikan Barak Obama pas ardhjes së tij në pushtet, miratimi i tij përfaqëson një fitore për të dhe dhe demokratët amerikanë në përgjithësi.
Obama nga ana e tij tha se legjislacioni i miratuar në Senat përfshin "masat më të forta të ndërmarra ndonjëherë për ta bërë të përgjegjshme industrinë e sigurimeve".
Ndërkaq, Veç zgjerimit të mbulimit me sigurime shëndetësore, legjislacioni i ri nuk do të lejojë që kompanitë e sigurimeve t'u mohojnë amerikanëve kujdes shëndetësor për shkak të sëmundjeve që mund të kenë patur më parë. Nga ana e tyre, duke e kundërshtuar projektin, udhëheqësit republikanë argumentojnë se projektligji është tepër i kushtueshëm dhe do të bëjë që industria e kujdesit shëndetësor të kalojë nën kontrollin e qeverisë. Përpara votimit, udhëheqësi i pakicës republikane, Mitch McConnell tha se ai dhe kolegët e tij republikanë do të përpiqeshin të mos lejonin miratimin e projektligjit dhe shtoi se "kjo betejë nuk ka marrë fund". Ndërkaq, zyra e Kongresit për buxhetin, e cila është jopartiake, thotë se zbatimi i legjislacionit të ri do të kushtonte 871 miliard dollarë.
n.e/NOA