Tiranë, 25 dhjetor NOA - Banorët e lagjes së Kombinatit në Tiranës ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të protestuar për mungesën e ujit.
I ndihmuar nga deputeti i PS-së i kësaj zone, Saimir Tahiri, banorët e Kombinatit kanë ngritur sot pemën e protestës.
Një pemë rreth 10 metra e lartë, zbukuruar me bidonë plastikë uji, të cilët ishin bosh, u ngrit në sheshin "Garibaldi" në qendër të lagjes Kombinat.
Banorët së bashku me deputetin e zonës Saimir Tahiri kanë ngritur këtë pemë në ditën e Krishtlindjeve dhe në prag të Vitit të ri për të shprehur në këtë formë protestën e tyre për mungesën e ujit dhe energjisë elektrike në këtë lagje të kryeqytetit.
Deputeti i PS, Saimir Tahiri u shpreh se dhe qytetarët e Kombinatit kanë të drejtë njësoj si Kryeministri i vendit të festojnë.
"Sot është festë për të gjithë. Fatkeqësisht banorët e Kombinatit kanë dy arsye për të festuar më pak se të tjerët, dhe kjo sepse ju mungojnë dritat, ju mungon energjia elektrike dhe uji.
Është kjo arsyeja pse edhe pemën e Vitit të Ri këtu në Kombinat e kemi dekoruar simbolikisht me bidonë uji bosh.
Dhurata më e mirë që mund t'ju bëjë Kryeministri dhe qeveria banorëve të Kombinatit është të përmbushin detyrimin e tyre, për t'i sjellë ujë dhe drita këtyre qytetarëve që e meritojnë të festojnë të barabartë dhe të jetojnë të barabartë me të njëjtat kushte si edhe Kryeministri i vendit" tha Tahiri.
k.k/NOA