Tiranë, 25 dhjetor, NOA - Më shumë dialog mes palëve dhe komunikim njerëzor, pasi kjo është shumë e rëndësishme për një vend që inspiron të aderojë strukturat evropiane.
Ky ka qenë mesazhi që presidenti i Republikës, Bamir Topi u ka drejtuar publikisht besimtarëve të krishterë pas një vizite të zhvilluar në mjediset e Kishës Ortodokse në kryeqytet.
"Në këtë ditë uroj dialog për të gjithë, pavarësisht profesioneve", tha kreu i shtetit në fjalën e tij, duke iu referuar në mënyrë të tërthortë edhe krizës politike që ka kapluar dy kampet kryesore në vend, të cilat ende nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët të dialogut mes tyre.
Ndërkaq, dje përmes një mesazhi dërguar kryepeshkopit ortodoks Anastas Janullatosit dhe arqipeshkvit të Tiranë-Durrës Imzot Rrok Mirdita, presidenti i Republikës ka pohuar se në ditën e shenjtë të Krishtlindjes, ai u përcjell të gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë urimin që drita e shpresës të ndriçojë jetët e tyre dhe që paqja e shpirtit t'i shoqërojë çdo çast.
"Krishtlindjet janë një frymëzim dhe burim mendimi e urtësie për të gjithë që sot më shumë se kurdo t'i gjendemi pranë atyre që përjetojnë vështirësi, sëmundje e dobësi njerëzore, për t'u dhuruar momente qetësie, gëzimi, dashurie e për t'u transmetuar mesazhe shprese e besimi për një jetë dhe të ardhme më të sigurtë e më të mirë. Në këtë ditë feste është momenti për të dëshmuar virtytet dhe vlerat tona më të spikaturasi njerëz, si popull", ka shkruar kreu i shtetit në këtë mesazh urimi.
n.e/NOA
Â