English

Rruga e mbrapshtë

Në një Kosovë josovrane, pavarësisht se sa dalin në zgjedhje serbët në Graçanicë, kurrë nuk do ta dëgjojnë Prishtinën aq sa do ta dëgjojnë Beogradin, i cili edhe i kërcënon, edhe u jep më shumë para. Fundja, edhe serbët në Bosnje dalin në votime, apo jo?

Nga Albin Kurti

Për t'u bërë komuna Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti apo veriu i Mitrovicës, ato duhet të kenë shumë profesionistë përkatës dhe qëndrueshmëri ekonomike. Pushteti lokal ka departamente e sektorë të shumtë të cilët duhen plotësuar me kuadro të kualifikuara. Pushteti lokal në një komunë duhet të arrijë një shkallë të kënaqshme të vetëmjaftueshmërisë ekonomike e financiare. Nuk besoj t'i kenë këto komunat e reja me shumicë serbe. Por, edhe nëse i kanë, edhe nëse ndofarë raporti i fizibilitetit të tyre ka rezultuar pozitiv, vendimi që këto të jenë komuna është marrur paraprakisht. Pra, në vend se të shikohet se sa kanë kapacitet këto vendbanime për t'u shndërruar në komuna dhe vetëm mandej eventualisht të bëhen të tilla, radhitja ishte e përmbysur: në negociatat e Vjenës u pat vendosur që të krijohen 5+1 komuna me shumicë serbe dhe a posteriori Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Sadri Ferati, na raportonte se si ato na qenkan të qëndrueshme. Analiza nuk ishte në shërbim të marrjes së vendimit por të konfirmimit të tij. Edhe sikur këto komuna të mos kenë as kuadro dhe as resurse për ta mbajtur veten e tyre, të gjithë e dimë se ato do të mbijetojnë. Sepse të gjithë e dimë që Serbia do t'i mbështesë jo vetëm për t'i mbajtur gjallë, por edhe për t'i forcuar. Investimeve direkte të Serbisë në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë iu është hapur plotësisht dera tani. Nëse dikur Serbia investonte kryesisht në veri të vendit meqë vetëm atje ndjehej e sigurt, tash e tutje ajo do të ndjehet po aq e sigurt edhe në këto katër komunat e tjera. Në njërën anë, Plani i Ahtisaarit parasheh që autoritetet qendrore të delegojnë tek komunat e reja kompetenca për regjistrat kadastrorë e civilë, për regjistrimin e votuesve e të bizneseve si dhe për licencimin e këtyre të fundit. Në anën tjetër, Plani i Ahtisaarit ua lejon po këtyre komunave bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Serbisë, me ç'rast neni 10.1 në Aneksin III thotë që "bashkëpunimi i tillë do të merr formën e ofrimit të ndihmës financiare dhe teknike nga ana e institucioneve të Serbisë". Pra, edhe nëse komunat e reja me shumicë serbe në Kosovë nuk ia dalin vetë, Plani i Ahtisaarit është kujdesur që deficitin kadrovik dhe financiar atyre t'ua mbulojë Serbia. Decentralizimi është nisur duke llogaritur në ndërhyrjen dhe ndikimin e Serbisë, e jo me qëllim që ta eliminojë atë ndikim siç gënjen rregullisht Sadri Ferati. Dihet që Serbia do të ndërhyjë edhe financiarisht edhe me ekspertë në këto komuna mu ashtu siç dihet arsyeja pse do ta bëjë këtë. Minimin e pavarësisë së Kosovës nga jashtë të cilin Serbia po e bën nëpërmjet rrugës diplomatike e juridike, ajo po e kombinon edhe me minim nga brenda të cilin ia mundëson pikërisht decentralizimi. Zaten, përderisa shteti i Kosovës nuk ngjitet në veri të Kosovës, veriu do të zbres poshtë në Graçanicë, Partesh, Artanë, Ranillug e Kllokot. Status quo-ja e territorit të Kosovës fillon e përfundon në hartën e Kosovës në flamur. Dihet që pushteti qendror decentralizohet atëherë kur i beson pushtetit lokal të cilit do t'ia bart kompetencat shtesë. Decentralizimi e zbret pushtetin nga qendra në nivele më të ulëta në të cilat pushteti qendror gjithsesi ka besim. Pra, decentralizimi i pushtetit e pason sovranitetin dhe është mundësi e sovranit. Në Kosovë kemi prirjen e kundërt: sovraniteti synohet nëpërmjet decentralizimit dhe MAPL po e kërkon besimin e pushtetit lokal duke i deleguar edhe më shumë pushtet atij! Kjo nënkupton që MAPL konsideron që enklavat nuk i përkasin Kosovës dhe përmes decentralizimit ato do t'i mashtrojë Qeveria e Kosovës e do t'i integrojë në Kosovë. Dëmi i kësaj qasjeje nuk konsiston vetëm në dështimin e saj të sigurt, por, para së gjithash, në përvetësimin e premisës së Serbisë që thotë se enklavat janë të saj e jo pjesë të territorit të Kosovës ku do të duhej të shtrihet natyrshëm pushteti i Kosovës. Në bazë të Komitetit Drejtues për Demokraci Lokale dhe Regjionale (CDLR), parimet udhëheqëse për përgatitjen e çfarëdo dokumenti legal për vetëqeverisjen lokale a regjionale janë: a) Kurrfarë dokumenti legal mbi vetëqeverisjen regjionale nuk bën të bazohet në kërkesën ndaj vendeve anëtare që të kenë ose të vendosin nivelin regjional territorial: vendet anëtare mbesin të lira të marrin vendim për strukturën e tyre të brendshme; b) Në një linjë me atë vendim dokumenti legal duhet të hedh themelet në bazë të të cilave shtetet do të vendosnin autoritete regjionale. Ai dokument duhet të respektojë rrethanat e ndryshme që ndërlidhen me regjionalizimin. Po ashtu, duhet t'i përmbajë mundësitë të lidhura me modele të ndryshme të vetëqeverisjes regjionale, të cilat secili shtet do t'i aprovojë sipas gjykimit të vet. Kjo padyshim tregon se BE-ja i respektohen shumë vendimet sovrane të shteteve anëtare për rregullimin e tyre të brendshëm territorial. Natyrisht që ky kujdes tregohet për hir të ruajtjes së unitetit të brendshëm të shteteve i cili është thelbësor për çdo shtet. Në Kosovë po ndodh e kundërta. Organizimi territorial dhe administrativ i Kosovës po bëhet në bazë të një ujdie me një shtet armik i cili nuk e pranon atë ujdi përderisa e shfrytëzon zbatimin e saj në terren! Serbia dhe serbët e saj nuk e kanë refuzuar Planin e Ahtisaarit meqë asisoj do të integroheshin në Kosovë (siç na gënjen edhe njëherë Sadri Ferati), por për ta fituar 6 Pikëshin e Ban Ki-moon-it dhe protokollet e EULEX-it përmes refuzimit këmbëngulës të tyre. Zbritja e pushtetit në enklava përfundon veçse si dobësim i shtetit të Kosovës. Në një Kosovë josovrane, pavarësisht se sa dalin në zgjedhje serbët në Graçanicë, kurrë nuk do ta dëgjojnë Prishtinën aq sa do ta dëgjojnë Beogradin, i cili edhe i kërcënon, edhe u jep më shumë para. Edhe serbët në Bosnje dalin në votime, apo jo? Përgjithësisht në Kosovë kemi tendencën e kundërt me atë që do të duhej ta kishte një shtet që synon të bëhet vend anëtar i BE-së. Së pari kemi prioritizimin e stabilitetit politik përfundi protektoratit ndërkombëtar, dhe jo atë të demokracisë, drejtësisë e sovranitetit vendor; së dyti kemi prioritizimin e privatizimit neoliberal në funksion të korporatave të huaja, dhe jo atë të zhvillimit vendor ekonomik në funksion të mirëqenies së qytetarëve; dhe së treti kemi prioritizimin e decentralizimit etnik për serbët si pasojë e koncesioneve ndaj aspiratave të Serbisë, dhe jo atë të tërësisë territoriale të vendit tonë si nevojë për shtetin dhe qytetarët e saj. "Bosnja" tashmë është shndërruar në emrin që shërben si zëvendësim për këtë fjalinë e gjatë të mësipërme. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, teksa kontribuon aktivisht në bosnjezimin e Kosovës, për çdo ditë na flet nga ekrani për integrimet evropiane. Kjo edhe mund të jetë farsë komike për evropianët, porse do të bëhet tragjedi elementare për neve.

KOMENTE