English

Serbia, si po dëmton reputacionin e Bashkimit Evropian

Këtë javë, Serbia edhe zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE. Komentatorët gjermanë e pritën të shokuar këtë lajm, duke theksuar se kjo është e tepërt dhe theksojnë se pranimi i këtij shteti në union mund të shkaktojë vetëm telashe

Nga Cathrin Schaer*

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, dorëzoi të martën aplikacionin e vendit të tij për anëtarësim në BE. "Kjo pasqyron vendosmërinë e fuqishme të qeverisë së Serbisë dhe përkrahjen e fuqishme popullore për anëtarësimin e këtij vendi në BE", theksoi gjatë ceremonisë së pranim dorëzimit kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeldt. "Anëtarësimi i Serbisë nuk është i rëndësishëm vetëm për anëtarësimin e Serbisë, por edhe për rajonin në tërësi. Suedia pranoi kandidaturën, ngase është kryesuese e radhës e BE-së", shtoi Reinfeldt. Serbia i shtohet listës së shteteve, të cilat presin anëtarësimin në union, në mesin e të cilave gjenden Kroacia, Turqia, Maqedonia dhe Islanda. Edhe Bosnja dhe Kosova kanë shprehur dëshirën e tyre për anëtarësim. Serbia me gjasë do të jetë e detyruar të kalojë një rrugë të gjatë, para se të anëtarësohet në BE. Zhvendosjet pozitive në disponimin diplomatik duket se po afrojnë Serbinë dhe BE-në. Ratifikimi i marrëveshjes për stabilizim dhe asociim-përkushtimi për reforma politike, ekonomike, tregtare dhe në fushën e të drejtave të njeriut, të cilat BE-ja i kërkon nga shtetet potenciale anëtare-ishte bllokuar, për shkak të protestave të Holandës, se Serbia nuk po bën aq sa duhet për të kapur personat e akuzuar për krime të luftës. Por së fundi, pasi që në raportin e prokurorit të OKB-së u theksua se Serbia po bashkëpunon me Tribunalin e OKB-së për krime të luftës, Holanda hoqi dorë nga kundërshtimi i saj dhe duket se ratifikimi i marrëveshjes për stabilizim dhe asociim po afrohet. Krahas kësaj, BE-ja shfuqizoi regjimin e vizave për qytetarët serbë, i cili ka qenë në fuqi gjatë dy dekadave të kaluara. Megjithatë, ende ekzistojnë shumë pengesa, të cilat e pengojnë anëtarësimin e Serbisë. Një nga pengesat më të mëdha mbetet paaftësia e Serbisë, apo ndodhta edhe mungesa e vullnetit të Beogradit, për të vendosur para drejtësisë kriminelin e akuzuar të luftës, Ratko Mladiqin. Holanda me këmbëngulje e kërkon ekstradimin e Mladiqit në Hagë. Në vitin 2008, holandezët pikërisht për shkak të kësaj çështje bllokuan ratifikimin e marrëveshjes për stabilizim dhe asociim. Përderisa anketat sugjerojnë se pjesa më e madhe e serbëve e dëshirojnë anëtarësimin në BE, ato gjithashtu dëshmojnë se pjesa më e madhe e tyre e konsiderojnë Mladiqin si hero. I pyetur këtë javë gjatë qëndrimit të tij në Stokholm në lidhje me këtë çështje, Tadic u përgjigj:"Po bëjmë çmos që është në fuqinë tonë për t'i arrestuar. Nëse gjenden në territorin e Serbisë, ata do të kapen". Një problem tjetër paraqet ndryshimi në qëndrime mes BE-së dhe Serbisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës. OKB-ja, e cila ka administruar Kosovën që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, mbetet e përçarë në lidhje me atë se a duhet të pranohet ligjërisht Republika e Kosovës, ndërsa Beogradi në vazhdimësi dhe me këmbëngulësi ka refuzuar që ta njohë këtë pavarësi. Dhe përkundër faktit se pjesa më e madhe e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën, pesë shtete ende nuk e kanë bërë këtë. Komentatorët gjermanë, të cilët gjatë javës kanë shkruar në lidhje me dorëzimin e aplikimit të Serbisë për anëtarësim në BE ishin mjaft skeptik dhe theksuan se Beogradi ende duhet t'i adresohet shumë çështjeve, para se të pranohet në BE. Disa prej tyre argumentuan se anëtarësimi i Serbisë nuk është i justifikuar dhe se mund të dobësojë edhe më shumë reputacionin gjeopolitik të BE-së. Një nga gazetat më të zëshme në kritikat e saj ishte gazeta e qendrës së djathtë, Frankfurter Allgemeine Zeitung, e cila shkroi:"BE-ja duhet të mendojë mirë se në çfarë loje është duke hyrë. Mbetet dilemë se a ka përmbushur Serbia kërkesat për anëtarësim-jo vetëm formalisht, por edhe substancialisht. Një simbol i natyrës së shtrembëruar të kushtetutës së Serbisë janë përpjekjet e zbehta-e ndoshta edhe mungesa e vullnetit-për të arrestuar Mladiqin dhe për ta dërguar atë në Hagë", shkroi FAZ. Kjo gazetë më tutje shtoi se rasti i Mladiqit nuk ka të bëjë vetëm me një individ, por ka të bëjë me përshtypjen. "Qartazi se shumë njerëz, përfshirë këtu edhe politikanë të interesuar, ende e konsiderojnë Mladiqin si hero serb. Ndjenjat nacionaliste, të cilat e shndërruar gjithë rajonin në zonë të luftës, ende nuk janë mposhtur. E nuk është përpunuar as e kaluara e errët e këtij shteti. Madje as sot, Beogradi nuk ka arritur të kërkojë falje për masakrat e kryera gjatë luftës. Me qëllim që të bëhet anëtare e BE-së, është imperativ që ky shtet të shkëputët nga ky hiper-nacionalizëm. Dhe çështja e Kosovës, e cila ka potencial që të jetë barrë serioze në marrëdhëniet mes BE-së dhe Serbisë, gjithashtu duhet të jetë pjesë e diskutimit. Problemet e këtilla nuk zgjidhen lehtë brenda BE-së", nënvizoi FAZ. Mjaft e ashpër në komentin e saj ishte edhe gazeta konservatore, "Die Welt", e cila shkroi:" Serbia ka dorëzuar në Stokholm kërkesën e saj për anëtarësim në BE. Si ju lutem? Serbia? Dhe atë me përkrahjen e presidencës aktuale të unionit, atë të Suedisë dhe të presidencës së radhës, atë të Spanjës? Madje edhe qytetarët, të cilët kanë qëndrim pozitiv ndaj BE-së, mund të dyshojnë për përkrahjen e tyre për unionin, kur të lexojnë këtë lajm. Kroacia, Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia-e tani edhe shteti, qeveria e dikurshme e të cilit ishte përgjegjësja kryesore për luftërat në Ballkan. E mos të përmendim faktin se krimineli i dyshuar i luftës, Ratko Mladiqi, gjendet ende në arrati, edhe përkundër faktit se arrestimi dhe ekstradimi i tij ka qenë kushti kryesor për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Megjithatë, fillimi i negociatave ende është larg. Por qytetarët qysh tani me mosbesim kanë hedhur shikimin në drejtim të Europës Juglindore, ku dy anëtarët më të ri të unionit-Bullgaria dhe Rumania-ka tashmë disa vjet po përballen me vështirësi për të vendosur sundimin e ligjit. Në këndin jugor të Ballkanit, qeveria e Greqisë aktualisht është para kaosit total. Nën ombrellën mbrojtëse të BE-së, keq-menaxhimi dhe korrupsioni me gjasë mund të përhapën të pengesë, e gati edhe si pandëshkuara. Kur dikush anëtarësohet, atëherë Brukseli nuk mund të bëjë shumë-përkundrazi: shtetet më të mëdha anëtare, të cilat kanë pasur një ekonomi më solide, kanë mundësi që të nxjerrin nga vështirësitë vëllezërit më të vegjël".

*) "Der Spiegel"

KOMENTE