English

Deputeti i PS Toçi: Ndryshimet e qeverisë në ligjin e tokave, antikushtetuese

Tiranë, 26 dhjetor, NOA - Ligji i ri i miratuar nga Kuvendi para tre ditësh për tokat bujqësore, është një ligj i cili jo vetëm do të rrisë konfliktin social në vend, mes atyre që do t'u merret toka me ata të tjerëve që do t'u jepet, por vetë personat e rrezikuar nga ky "shtetëzim" modern kanë kërcënuar se nuk e lëshojnë tokën e tyre

Kështu ka deklaruar lidhur me pasojat e miratimit të ligjit "Për një shtesë në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore", deputeti socialist, Fatmir Toçi përmes një deklarate për shtyp.

Sipas tij, e keqja e këtij ligji është se familjet dhe individët, që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale, apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit do t'u duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do t'u bëhet me një sipërfaqe simbolike trualli.

"Ky ligj ndryshon atë të vitit 1995, i cili është përmirësuar me një shtesë të bërë me anë të dekretit të vitit 1996 të ish-presidentit, Sali Berisha, por që s'ka mundur të gjejë zbatim për shkak të një procedure të munguar. Banorët e zonave të Orikumit, Ksamilit, Borshit apo të zonave të tjera që kanë marrë sipërfaqe në përdorim deri në 1500 m2 do t'u merret, duke i kompensuar në tokë me një sipërfaqe 300 deri në 750 m2", sqaroi Toçi.

Sipas tij, opozita konstaton se përpjekja e mazhorancës për zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi tokën me anë të këtyre ndryshimeve në ligj e acaron më tepër problemin dhe e ka rritur revoltën e banorëve, kryesisht atyre që jetojnë në vijën bregdetare, të cilët presin zgjidhjen ligjore të problemit, dhe jo marifete të reja të kësaj qeverie për grabitjen e tokave që ata kanë në përdorim që prej 18 vjetësh.

"Konstatojmë, gjithashtu, se ligji i vitit 1995 me disa ndryshime në vitin 1996, ua ka dhënë një herë të drejtën këtyre banorëve për ta kthyer tokën nga përdorimi në pronësi, edhe pse nuk mundi të gjejë zbatim për shkak të mungesës të procedurave të mëtejshme, si rrjedhojë e ngjarjeve që tronditën Shqipërinë në vitin 1997.

Sa më sipër është antikushtetuese të shkohet në ngushtim dhe kufizim të të drejtave të njeriut (si po ndodh me uljen e sipërfaqes që kalon në pronësi nga 1500 në 750 e më pak m2) kur këto të drejta, në çdo fushë qofshin, duhet të shkojnë vetëm drejt zgjerimit dhe përmirësimit të tyre", përfundoi deklaratën e tij Toçi.

Në fund, ai i ka kërkuar Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj i cili sipas tij u rrëmben tokën dhe i hedh në rrugë njerëzit në nevojë, pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, për t'i dhënë zgjidhjen përfundimtare këtij problemi që ka penguar dhe bllokuar zhvillimet normale të vendit, në mënyrë të veçantë në fushën e turizmit dhe bujqësisë.

n.e/NOA

KOMENTE