Fier, 26 Dhjetor NOA - Personi që u gjet sot i vrarë në Levan të Fierit, është Leonard Hazizaj, 32 vjeç, lindur e banues në qytetin e Fierit, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA që citon burime zyrtare të policisë lokale. I ndjeri, i dyshuar për shpërndarje parash të falsifikuara, ishte i afërm i një punonjësi të policisë së Fierit. Ai ishte duke shkuar tek e fejuara e tij me një tortë për të uruar festat. Viktima mendohet të jetë vrarë gjatë natës duke gdhirë dita e sotme dhe besohet se vendi ku u gjet është i njëjtë me atë të ekzekutimit.
Leonard Hazizaj, emigrant periodik në Greqi, u gjet i hedhur në një cep rruge pak të rrahur nga kalimtarët, pranë një tuneli në ish-repartin e Artilierisë në Levan, në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës.
Ishin kalimtarë të rastësishëm, banorë të zonës, të cilët panë trupin e pajetë që gjendej i flakur në anë të rrugës.
Viktima ishte qëlluar me një pistoletë në kokë dhe trup, me pesë plumba, duke i shkaktuar dëmtime që vështirësuan identifikimin e tij.
Forcat policore dhe agjentët e antikrimit, bënë të mundur identifikimin e viktimës dhe zbardhën detaje nga ngjarja dhe minutat pararendëse.
Më herët, para se të bëhej i mundur identifikimi i të ndjerit, policia tha se bëhej fjalë për një mashkull në moshën rreth 40-42 vjeç.
Mësohet se Leonard Hazizaj, 32 vjeçar nga Fieri, ishte fejuar me një vajzë rreth 20 vjeçe në Frakull të rrethit Fier.
Mbrëmjen e dy ditëve më parë, ai ishte nisur për tek e fejuara, me rastin e Krishtlindjeve duke i dërguar një tortë për të uruar festën.
Në kthim, me automjetin e tij, një veturë tip "Nissan" me targa greke, mendohet të jetë ndalur nga persona të armatosur të cilët e kanë shtyrë deri në tunelin e ish-repartit të tankeve ku edhe e kanë vrarë me pistoletë dhe janë larguar duke e lënë viktimën aty.
Policia tha se viktima ka dyshime të jetë marrë me trafikim të lekëve dhe eurove të flasifikuara në Shqipëri dhe Greqi. Momentalisht, hetohet pista e pengmarrjes, por ende nuk ka informacione më të detajuara mbi këtë pistë, e cila i bashkëngjitet edhe pistës tjetër, asaj të hakmarrjes.
e.b/e.r/NOA