Krejt çka mendojnë të rinjtë e pasluftës në Kosovë, është shpërngulja nga Kosova. Ata janë pa kushte të mira ekonomike dhe pa shpresë që klasa politike dhe autoritetet tjera ndërkombëtare do të bëjnë ndonjë gjë për ardhmërinë e tyre
Nga Toronto, Kanada, Dafina MalokuÂ
Do të ishte mirë për ta filluar këtë shkrim me një shifër të saktë se sa ka shënuar ngritje numri i emigrantëve kosovarë, çështje që debatohet vazhdimisht. Derisa shtetet tjera e dinë saktë edhe sa bagëti kanë në tokën e tyre, ngase i regjistrojnë me shifra identifikuese, në Kosovë ende nuk është bërë as regjistrimi i popullsisë. Dukuria e emigracionit ishte më e pranishme para luftës, sidomas gjate viteve ‘80-‘90, kur shumica e djemve nga Kosova është dashur ta lëshonin vendlindjen për të marrë botën në sy, edhe për të mbijetuar familjet e tyre ekonomikisht, por edhe për arsye që të mos bëheshin dhunshëm ushtarë në radhët e ushtrisë së atëhershme serbe. Ata sakrifikuan vetveten, familjen e tyre, arsimimin e lartë, një punë që e ëndërronin, lanë shtëpinë, shoqërinë, dikush të dashurën, nënën, gjuhën, çdo gjë që kishin..
Nëse i referohemi Konventës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive themelore, shohim se ata të rinj kosovarë që sot gjenden gjetiu nëpër botë, i kishin të privuara pothuajse të gjitha liritë e percaktuara nga Këshilli Evropian. Këto janë: e drejta për jetë, ndalimi i torturës, ndalimi i skllavërisë dhe punës së detyruar, e drejta për liri dhe siguri, e drejta për proces të rregullt gjyqësor, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, liria e mendimit e ndërgjegjes dhe e fesë, liria e shprehjes, e drejta për t'u martuar dhe zgjedhje efektive etj. Fatkeqësisht, disa nga këto të drejta privohen edhe sot në shumë raste, të cilat Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë mundohet ti arkivojë si dokumente faktike.
Është vërtet çnjerëzore të mendohet, e lëre më të ndodh, e të gjykohet që njeriun, të cilin Zoti e falë në tokë dhe vend të caktuar, që arrin në botë nga një nënë me kombësi dhe gjuhë të caktuar, e bardhë apo e zezë, e pasur apo e varfër, e hijshme apo jo, e që nuk është zonja e parë e vendit, të mos mund të qëndrojë i qetë e i lumtur me arsyen absolute të ligjit natyror.
***
Derisa prisja para Ambasadës Amerikane në Shkup, për marrjen e vizës, thosha me vete, po ta xhironte ndokush atë situatë nënçmimi që na e bënte zyrtari policor, duke na trajtuar sikur të ishim kafshë e jo njerëz. Radha me metra e gjatë, që shtrihej pothuajse në rrugë (për arsye sigurie), me plot djem e vajza ambicioze për jetë, por edhe pleq e plaka, ku të gjithë me ankth prisnim përgjigje pozitive. E kam në fiksim figurën e një njeriu afërsisht 65 vjeç, që më tha "oj bijë, nuk e kam pa djalin që 10 vjet" e iu mbushën sytë me lotë, derisa polici me përbuzje iu drejtua me atë tonin e rreptë në gjuhen maqedone: "a ke vesh me ndëgju ti, që po them vetëm gratë me fëmijë përpara". Në atë moment, m'u kujtuan radhët e gjata të refugjatëve të luftës, ku prisnim për ndihma e bukë.
Ajo që ndodhi në lumin Tisa, që në tentativë për të kaluar ilegalisht në Hungari, humbën jetën 15 kosovarë, dhe trupat e katër prej të cilëve nuk janë gjetur ende, shënon vulën e vështirësive social-ekonomike dhe pafytyrësisë politike në Kosovë. Grupet familjare, mësohet se u kanë paguar shuma të mëdha trafikantëve për të kaluar në vendet perëndimore. Por, e tërë shpresa për jetë më të mirë shndërrohet në tragjedi të madhe. Shumë të rinj shesin çdo gjë të vlefshme, bëjnë të pamundurën për ta paguar çmimin e një rruge të cilës nuk ia dinë fundin. Përse kaq pengesa të rënda që kalojnë edhe nëpër vdekje vetëm për t'u larguar nga Kosova? A nuk jemi të gjithë njerëz të një bote…
***
Krejt çka mendojnë të rinjtë e pasluftës në Kosovë, ështe shpëngulja nga Kosova. Ata janë pa kushte të mira ekonomike dhe pa shpresë që klasa politike dhe autoritetet tjera ndërkombëtare do të bëjnë ndonjë gjë për ardhërinë e tyre. Ndoshta një ditë kjo gjendje edhe do të mund të ndryshojë, por Kosovës po i ikë rinia dhe truri.
Kur ndodheni larg Kosovës nuk do të keni mall për vendin e punës ku pronari s'i respekton të drejtat e punëtorit, as për pagën e ulët që e keni pasë hak. Sdo të keni mall për serialet latine, as për grimin e Thaçit e Sejdiut nëpër televizone, as për afera e dukuri të mbrapshta që gjykohen çdo ditë në të përditshmet e Kosovës.Â
Habitem me optimizmin e lodhur që e shfaqin njerëzit nga klisheja e jetës me plot monotoni, që për keqardhje ushqim shpirtëror kanë veç shprehjet "shuni se ka edhe më zi", "do tbëhet mirë", "shëndosh të jemi se krejt bëhen", etj. Kush shprehet kështu? Njeriu dhëmbprishur i cili nuk ka as para të ndajë për gojën e vet, e lëre më për diçka tjetër.
Rinia jonë duhet të luftojë për të drejtat e mohuara. Duhet të bashkëngjitet në lëvizje shoqërore e studentore me qëllime të qarta. Duhet të luftojë së pari për shtetin, shtëpinë, familjen e identitetin e vet.Â
(*) Autorja është në përfundim të studimeve Master për Komunikim dhe Gazetari