English

Konfindustria komenton aktin normativ të qeverisë për rritjen e defiçitit buxhetor

Tiranë, 26 Dhjetor NOA - Konfindustria tha sot se mbështet në parim miratimin e aktit normativ nga Qeveria e Shqipërisë për rritjen e defiçitit buxhetor prej 4.2% në 4.5%, por thekson se një veprim i tillë mund të ishte parashikuar dhe ndërmarrë në një kohë më të shpejtë.

Njëkohësisht Konfindustria vlerëson se ky akt normativ duhet të shoqërohet me shpjegime publike për cilësinë e shpenzimeve/investimeve buxhetore të deritashme, që kanë qenë ndjeshëm të shtuara në vitin zgjedhor 2009.

"Një veprim më i shpejtë në kohë në drejtim të rritjes së defiçitit buxhetor bëhej i nevojshëm parë vështirësitë e shumta për likuiditet me të cilat përballet ekonomia dhe në mënyrë të veçantë industritë shqiptare sidomos në 6 mujorin e dytë të vitit 2009, që përkon me shpenzimet e shkurtuara ndjeshëm gjatë gjysmës së dytë të vitit zgjedhor në vazhdim, në kushtet e krizës globale financiare dhe kufizimeve të thella në kreditim nga sistemi bankar", - tha sot në një dalje për mediat, Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria.

Në vijim, z.Buxhuku tha se Konfindustria, kërkon nga Qeveria, që të marrë parasysh se sipas të gjitha parashikimeve të politikave ekonomike, financiare dhe monetare, viti 2010 do të jetë vit relativisht i vështirë për ekonominë shqiptare.

"Shenjat e përmirësimit të tregjeve botërore ulen në pasqyrimin e tyre në ekonominë shqiptare parë problemet e shumta ekonomike dhe financiare që po kalon Greqia, partner i rëndësishëm tregtar dhe ekonomik i Shqipërisë", - vijoi z.Buxhuku.

Në këto kushte, Buxhuku vlerëson se stabiliteti makroekonomik i vendit në tërësi dhe qëndrueshmëria e monedhës kombëtare duhet të kenë rëndësi parësore nga vendimmarrja politike.

Sipas z.Buxhuku, parashikimi në kohë dhe shmangia e veprimeve të nxituara dhe në çastet e fundit, sikurse ishte akti normativ për rritjen e defiçitit buxhetor, shoqëruar me rritjen e domosdoshme të cilësisë së shpenzimeve publike janë kushte të domosdoshme për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2010.

e.r/NOA

KOMENTE