Liderët tanë karizmatikë janë një shartim i trashëgimisë së liderit absolut të tipit të diktatorit Enver Hoxha me imitimin e liderëve karizmatikë perëndimorë, që janë produkte mediatike e që shpesh quhen edhe liderë popullistë
Nga Fatos Lubonja Para dy javëve në Itali ndodhi një ngjarje e pazakontë. Një i sëmurë psikik goditi në fytyrë, me një statuetë prej allçie të Duomos së Milanos, nga ato që shiten për suvenir, liderin e partisë në pushtet Silvio Berlusconin, duke i shkaktuar, bashkë me disa çarje në fytyrë, një frakturë të lehtë të kockës së hundës dhe thyerjen e dy dhëmbëve. Ngjarja u komentua shumë dhe vazhdon të komentohet. Partia e Berlusconit akuzoi për aktin ata që i quajti "dërguesit moralë" të agresorit. E kishte fjalën për fushatën akuzuese që po bëhet ndaj Berlusconit nga një pjesë e mediave dhe opozita më radikale për lidhjet e tij me mafinë. Opozita e dënoi aktin, por gjithashtu përgënjeshtroi akuzat që iu bënë asaj. Gazetarët e akuzuar u shprehën se ky akt i dënueshëm nuk mund të shfrytëzohet nga mazhoranca për ta dhunuar lirinë e shprehjes dhe të investigimit. Ndër shpjegimet e aktit të të sëmurit psikik ma tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen ajo e sociologut dhe psikoanalistit Gallimberti. Ai e shpjegoi aktin ndaj Berlusconit me karakteristikat e atij që ai e quajti "lideri karizmatik". Sipas Gallimbertit, liderët karizmatikë krijojnë rreth vetes një raport dashuri-urrejtje me simpatizantët dhe kundërshtarët e tyre. Pra, lideri karizmatik e ndërton autoritetin e tij në partinë e vet me një lidhje të fortë dashurie të mbështetësve të vet. Në mitingjet e partisë së Berlusconit këndohet himni: "Meno male che Silvio c'e", që do të thotë: "Shyqyr që kemi Silvion". Por, nga ana tjetër, kundërshtarët, pikërisht për këtë krijojnë më shumë urrejtje ndaj tij. Dhe në këtë raport dashuri-urrejtje, sipas Gallimbertit, njerëz me probleme psikike, që kanë pësuar trauma persekutimi në fëmijëri, janë shumë më të ndjeshëm ndaj këtyre liderëve kur i urrejnë, prandaj dhe duan t'i vrasin ata, simbolikisht, si në rastin në fjalë, apo edhe realisht. Ky koment mbi liderin karizmatik ma tërhoqi në mënyrë të veçantë sepse, duke e dëgjuar, s'mund të mos mendoja për raportet dashuri-urrejtje të liderëve tanë, Berisha dhe Rama, me simpatizantët dhe kundërshtarët e tyre. Nuk besoj se duhen shpenzuar shumë rreshta për ta përshkruar raportin e tyre me partitë që drejtojnë dhe simpatizantët e tyre si ai i liderit karizmatik Berlusconi, madje deri në atë shkallë sa t'i meritojnë vargjet e Majakovskit në poemën V. I. Lenin: "Kur themi partia nënkuptojmë Lenini/Kur themi Lenini nënkuptojmë partia". Mjaft të kesh parasysh faktin se të dy janë zgjedhur me mbi 90 për qind të votave, apo hapësirat që u jepen nëpër gazeta e televizione, apo faktin se brenda partive nuk pipëtijnë thuajse fare zëra disidence, çka është më dramatike në partinë e Berishës, por edhe ajo e Ramës duket se aty po shkon. Është po ashtu krejt i dukshëm fakti se kur flasin nëpër mitingjet e tyre, këta liderë gjithnjë e më shumë u drejtohen pikërisht adhuruesve të tyre me një gjuhë që, nga ana tjetër, synon të ngjallë urrejtjen për liderin kundërshtar. Mjafton t'i kesh parasysh replikat e kohëve të fundit. Ndërkaq, dihet se kundërshtarët e liderëve tanë karizmatikë i urrejnë aq shumë këta saqë mbyllin televizionin, ose e kalojnë në kanal tjetër, kur shfaqet pamja e tyre në ekran. Shumë syresh e kalojnë kohën në kafene duke tallur dhe përqeshur liderët e urryer. Fenomeni i liderit karizmatik, siç e thashë, është një fenomen që e vëren sot edhe në botën demokratike. Veçanërisht tani në kohën e mediave, karizma e tyre ndërtohet edhe më shpejt. Ndërkaq, atje gjen edhe shqetësim për rrezikun ndaj demokracisë që paraqesin këta liderë, për një raport të zhdrejtë midis nevojës për liderë karizmatikë dhe demokracisë së një vendi, apo të një partie. Sa më karizmatikë të jenë liderët, apo sa më shumë nevojë të ketë për liderë karizmatikë, aq më shumë probleme ka demokracia në një vend. Rasti i Berlusconit në Perëndim është ndër më të theksuarit, por edhe në vende të tjera perëndimore spikasin figura që, sa më karizmatike të jenë, aq më antidemokratike shfaqen. Mjaft të kesh parasysh Sarkozinë në Francë, që sot po akuzohet për bonapartizëm. Megjithatë, Perëndimi ka jo pak instrumente mbrojtëse nga të ashtuquajturit liderë karizmatikë. Madje, duket se pikërisht për të kundërbalancuar rrezikun e liderit karizmatik në këto vende partitë kundërshtare kanë liderë jokarizmatikë, ose më mirë të themi, me një karizmë antikarizmatike, siç ishte për shembull, Prodi në Itali. Nëse do t'i kthehemi realitetit tonë, do të thosha se problemi i liderit karizmatik në termat e Gallimbertit në vende si i yni, që s'kemi shumë (por tashmë as pak) kohë që kemi dalë nga një periudhë të liderit karizmatik absolut, është shumë më i madh. Liderët tanë karizmatikë janë një shartim i trashëgimisë së liderit absolut të tipit të diktatorit Enver Hoxha me imitimin e liderëve karizmatikë perëndimorë, që janë produkte mediatike e që shpesh quhen edhe liderë popullistë. Ne kemi në krye të partisë në pushtet një lider si Sali Berisha që ka afro njëzet vjet që drejton partinë e tij dhe që as duket të ketë ndërmend të tërhiqet, sepse i thotë vetes fitimtar. Është tipiku i liderit karizmatik me të cilin identifikohen simpatizantët e partisë së tij dhe që urrehet thellë nga kundërshtarët. Fatos Nano në vitet e para ishte disi më i ndryshëm nga Berisha, por edhe ai, me gjithë një lloj përçmimi që reflektonte për figurat autoritare si Berisha, në llojin e vet ndërtoi figurën e liderit karizmatik duke arritur deri atje sa të deklaronte: "Jam Fatos Nano, prapa më vjen historia". Kurse tani që Nano është larguar, Partia Socialiste ka gjetur simetrikun e Berishës tek Edi Rama. Mospranimi i këtij për të dhënë dorëheqjen pas humbjes - siç bëri Nano - dhe mbështetja që iu dha nga partia në këtë akt jodemokratik, por karizmatik, ishte një hap dramatik i kësaj partie për nga instalimi në krye të partisë të liderit karizmatik të tipit Berisha. Nuk ka dyshim se dalja e liderëve karizmatikë nuk është një çështje rastësie fatkeqe. Ajo është e kushtëzuar nga një lloj kulture vulgu, kombinuar me kultin e shpëtimtarit, e cila mund të shfaqet virulente edhe në vende me tradita demokratike e jo më tek ne. Për kultivimin e këtij lloj lideri, pra, nuk mund të fajësohen vetëm liderët, por edhe numri i madh i atyre që, duke mos patur një identitet dhe personalitet të pjekur, kërkojnë identifikimin dhe shpëtimin tek lideri karizmatik. Ka një rreth vicioz në raportin midis këtyre njerëzve dhe liderit. Lideri karizmatik ushqen tek ata dashurinë për të duke përdorur të gjitha mjetet. kurse, nga ana tjetër, ata, duke e ditur se pa dashurinë e liderit nuk jetojnë dot, bëhen gjithnjë e më adhurues e të varur prej tij. Kjo e ndihmon liderin karizmatik ta pastrojë partinë nga ata që rrezatojnë një lloj personaliteti, d.m.th., që nuk tregojnë adhurim e nënshtrim ndaj tij, por racionalitet dhe barazi me të. Shembujt i gjen pa fund si në PD, ashtu edhe në PS. Kështu, lideri karizmatik arrin e bëhet gjithnjë e më i pazëvendësueshëm sa më shumë kalon koha, siç shohim të ndodhë me Berishën sot. Do të thosha se ekzistenca në PD dhe në PS e dy liderëve të tillë është një nga arsyet e konfliktualitetit të ndezur politik që po përjetojmë. Kultivimi i këtij lloj lideri është një nga dëmet e shumta që i kanë ardhur demokracisë sonë të re. Në fakt, lideri karizmatik është inkompatibil me demokracinë për shumë arsye. Ai thellë-thellë aspiron të jetë e gjitha, jo një pjesë; të jetë "monarku", jo lideri i radhës (siç ka thënë së fundi Fini për Berlusconin në një bisedë private që u kap nga mediat). Ndërkohë, pluralizmi kërkon ekzistencën e më shumë sesa një partie dhe dialogun midis tyre ashtu sikurse alternimin e pushtetit brenda idesë se pjesët do të ekzistojnë edhe kur të mos jetë më lideri i njërës, apo tjetrës parti. Po ashtu, midis dy poleve të simpatizantëve të mbarsur me dashuri-urrejtje reciproke ekziston një zonë e tërë gri e shoqërisë që mund të jetë edhe më e madhe se 50 për qind, që nuk e mbush jetën me dashuri-urrejtjen që ngjall lufta permanente e liderëve karizmatikë, por që ka një jetë të veten, kurse politikanët i kërkon të sillen si njerëz nga të cilët pret të punojnë për përmirësimin e jetës së të gjithëve dhe ruajtjen e lirisë dhe dinjitetit të të gjithëve. Sikurse e thashë, ka një rreth vicioz në raportin midis liderit karizmatik dhe militantëve të partisë së tij, që sa më shumë thellohet aq më shumë çon në reduktimin/degradimin e partisë në një njeri të vetëm. Në rastin kur të dy partitë kanë liderë të tillë, siç është ky i yni, do të thosha se këta dy liderë paradoksalisht mbajnë njëri tjetrin pikërisht pse duan ta eliminojnë njëri tjetrin. Socialistët mendojnë se për një si Berisha duhet një si Edi Rama dhe anasjelltas. Por, sipas meje, nuk është kështu. Konflikti sa më i ndezur aq më shumë ndjell nevojën për liderë të tillë. Ky paradoks nuk e përjashton faktin që një ditë kjo luftë të mbarojë me fitoren e njërit lider karizmatik, por kjo do të sillte shkatërrimin jo vetëm të liderit tjetër, por edhe të partisë së tij. Ndërkaq, gjykoj se një lider i moderuar dhe demokrat i PS'së do ta fundoste shumë më shëndetshëm për demokracinë liderin karizmatik Berisha, sesa lideri karizmatik Rama, i cili, paradoksalisht po e forcon Berishën. Dhe anasjelltas: një lider i moderuar në PD do ta bënte më normale në agresivitetin e saj PS'në. Mungesa e zgjidhjes së krizës së sotme ka veç të tjerash si shkak edhe dinamikën negative midis dy liderëve tanë karizmatikë. Në vazhdën e shkrimit paraardhës, ku kam shprehur idenë se kriza po na jep më qartazi se kurrë mësimin se duhet të bëjmë çmos t'i ndërtojmë institucionet e arbitrit që ta kontrollojë partitokracinë PD-PS, mendoj se kriza po bën gjithnjë e më evidente edhe nevojën që partitë tona kryesore të ndryshojnë llojin e liderit. Duhet kaluar nga liderë karizmatikë të tipit Berisha-Rama në liderë që të kenë më pak karizmën për të ngjallur dashuri-urrejtje dhe më shumë frymën e dialogut dhe respektit, për liderë që nuk marrin përsipër gjithçka, por që ndajnë përgjegjësitë me të tjerët, për liderë që nuk urdhërojnë, por diskutojnë. Edhe kjo duket si një punë e vështirë, ndoshta po aq sa edhe ajo e forcimit të institucioneve që do ta kontrollojnë partitokracinë PD-PS. Mjafton të kesh parasysh se Berisha sapo fitoi një mandat të ri duke u bërë edhe më karizmatik. Por, rrugët gjithsesi duhen kërkuar dhe mendimi im është se ato duhen kërkuar tek PS'ja, e cila ka më shumë mundësi për ta filluar këtë proces për disa arsye: sepse është në opozitë, sepse ka pasur më shumë demokraci të brendshme këto 20 vjet dhe sepse ka shfaqur, edhe kohët e fundit, nëpërmjet figurave si Blushi, Malaj, Islami, etj. shenja rezistence ndaj liderit karizmatik.