Shkup, 26 dhjetor, NOA - Analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni thonë se trazimi i rasteve të Hagës ka prapavijë politike dhe qëllime për hakmarrje. Arrestimi i Shkodran Idrizit, ish-pjesëtarit të UÇK-së në Gjermani dhe ekstradimi i tij i shpejtë në Maqedoni ka për qëllim që të fillojë procesi gjyqësor për rastin e "punëtorëve të keqtrajtuar maqedonas" gjatë vitit 2001, që është një nga katër rastet e kthyera nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe që ngarkon për përgjegjësi ish-përfaqësues të UÇK-së në Maqedoni.
Lajmi për mundësinë e rinisjes së procesit gjyqësor bëhet i ditur edhe nga burime pranë Prokurorisë Publike. Ekstradimi i Idrizit pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme, pasi që ministri i Drejtësisë, Mihajllo Manevski ka theksuar se në momentin e duhur do të kërkohet menjëherë ekstradimi.
Burime pranë prokurorisë kanë theksuar se bllokimi i fillimit të rastit të keqtrajtimit të punëtorëve maqedonas gjatë 7 gushtit të vitit 2001 ishte bërë për shkak të mungesës së të akuzuarve, ndër të cilët edhe Shkodran Idrizi, që është në listën e të akuzuarve. Mirëpo për këtë rast nuk do të shpëtojë edhe deputeti i BDI-së, Hisen Xhemaili, për të cilin është dhënë garancia prej 300 mijë eurove për lënien e tij të lirë.
Në BDI i kanë ikur komenteve lidhur me mundësinë e hapjes së rastit të parë të Hagës, ku drejtpërdrejt ngarkohen ish-pjesëtarët e UÇK-së, ndër të cilët rreth 20 persona të tjerë, një pjesë e të cilëve po ashtu gjenden në arrati.
Eksperti për çështje të sigurisë, Nazmi Maliqi ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA se këto çështje duhet të konsiderohen të mbyllura, sepse është ligji për amnisti që garanton mos hapjen e këtyre rasteve."Gjithçka që po ndodh apo që shkon jashtë ligjit për amnisti, më tepër i ngjan një politizimi të panevojshëm", ka theksuar Maliqi.
Eksperti për çështje juridike, Jeton Shasivari ka theksuar se lidhur me këtë rast bëhet fjalë për kontradikta midis kodit penal si një ligj gjeneral dhe ligjit për amnisti si një ligj special, i cili e përjashton kompetencën e gjykatave të Maqedonisë, për ti gjykuar këto raste. "Andaj duhet të arrihet një zgjidhje që e shfuqizon ligjin gjeneral sepse çdo gjë tjetër hyn në terrenin e politizimit të këtyre rasteve, dhe andaj shqiptarët me të drejtë dyshojnë në qasjen selektive të organeve të drejtësisë, kur bëhet fjalë për rastet e 2001", ka theksuar Shasivari, duke apeluar që të zgjidhet edhe rasti i të dënuar me 15 vite burg të Ibrahim Sulejmanit, i cili po ashtu duhej të përfshihej në ligjin për amnisti. Edhe analisti politik, Nijazi Muhamedi ka theksuar se çdo trazim i rasteve të Hagës ka prapavijë politike dhe qëllime për hakmarrje. "Maqedonasit krye në vete nuk do ti trazonin këto raste, por ka dikush nga BDI përbrenda që i leverdisë të trazojë këto raste, sepse ata dëshirojnë të shpëtojnë kokat e tyre nga kërcënimet e tjera. Mirëpo edhe nëse trazohen këto raste, së pari të trazohet lënda për Ali Ahmetin, e jo për personat e tjerë", ka theksuar analisti dhe publicisti Muhamedi. Katër rastet e kthyera nga Tribunali i Hagës dhe për të cilat ngarkohen ish-krerët dhe pjesëtarët e UÇK-së, janë sfidë e re për koalicionin qeverisës, por edhe si një mundësi e tensionimeve të reja, në rast se fillon procedimi i tyre.
NOA-INA