English

Vendosin të largohen për në Shqipëri nga varfëria, i ndal policia italiane

Ancona, 26 Dhjetor NOA - Një nënë shqiptare e cila po vuante gjendjen e vështirë ekonomike në Itali ku jetonte si emigrante e ligjshme prej vitesh, në dëshpërim e sipër ka marrë rrugën bashkë me vogëlushin e saj për t'iu rikthyer vendlindjes, por është ndaluar nga forcat policore që nuhatën rrezik për jetën e tyre.

Ngjarja ndodhi në Asse Sud, pranë autostradës në drejtimin që të çon për në Ancona në Itali, informon korrespondentja e agjencisë NOA.

Gruaja 41 vjeçare, emigrante e ligjshme nga Shqipëria, së bashku me djalin e saj vetëm dy vjeçar që e kishte futur në një karrocë ku gjendeshin dhe disa çanta me sende vetjake, po ecnin më këmbë në autostradë, rreth orës 18.00 të ditës së djeshme.

Ndërsa nënë e bir ecnin në anë të autostradës, trafiku ishte i dendur dhe shpejtësia që lëviznin mjetet, goxha e lartë.

Ky fakt, ka bindur policinë se nënë e bir rrezikoheshin nga një shtypje e mundshme ndaj me t'u parë ata u bllokuan dhe u morën për këshillim.

Nëna 41 vjeçare ka treguar se ajo jetonte në Castelfidardo. Prej kohësh ajo po përjetonte vështirësi të mëdha ekonomike ndaj siç tregoi, kishte vendosur ta braktiste Italinë.

Për këtë, kishte mbledhur ca rroba dhe ishte nisur me të birin më këmbë për të arritur në portin e Anconës që në fakt si këmbësorë, mund ta arrinin vetëm pas disa orësh.

Duke parë gjendjen e rënduar të nënë e bir, policia vendosi të ndalë largimin e momentit të tyre për në Shqipëri dhe i strehoi në një qendër provizore banimi.

j.m/e.r/NOA

KOMENTE