Uashington, 27 Dhjetor NOA - Autoritetet policore në bashkëpunim me prokurorinë dhe FBI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lajmëruan sot se kanë ngritur akuza kundër 23 vjeçarit nga Nigeria Umar Faruk Abdulmutalib, i cili u përpoq të hedhë në erë aeroplanin e udhëtarëve në ditën e Krishtlindjeve. Nigeriani akuzohet për sulm kundër aeroplanit amerikan.
Ishte një avion i shoqërisë ajrore "Delta" me rreth 300 pasagjerë në bord. Ekuipazhi dhe pasagjerët arritën të mposhtin nigerianin përpara se ai të ndizte lëndën shpërthyese.
Në spitalin e Miçiganit, ku gjendet, 23-vjeçari nigerian, student në Londër, u përball me gjykatësin i cili me prani fizike, i komunikoi akt-akuzën të dyshuarit.
Nigeriani ende po trajtohet nga mjekët për plagët që mori kur u përpoq të aktivizojë mjetin e tij shpërthyes në qytetin e Detroitit në SHBA, pasi aeroplani mbërriti nga Amsterdami, kryeqyteti i Holandës. Zyrtarët amerikanë thanë se materiali shpërthyes ishte eksploziv i lartë Petn, i njohur edhe si pentaetritol. I dyshuari ka qenë student në një universitet në Londër. Babai i tij është një ish-ministër, aktualisht është ish drejtues i Bankës së Parë të Nigerisë, njërit nga grupet më të mëdha financiare në këtë vend. Vetëm pak kohë më parë prindi i 23-vjeçarit ishte shprehur i shqetësuar për djalin e tij në ambasadën e SHBA-së. Atentatori pranoi më pas se kishte vepruar me porosi të rrjetit terrorist El Kaida.
Zyrtarët amerikanë thanë se hetuesit po përpiqen t'i konfirmojnë pohimet e të pandehurit se ai ka lidhje me rrjetin terrorist Al Kaida, dhe se mjetin shpërthyes e ka siguruar në Jemen.
Menjëherë pas incidentit në SHBA u ashpërsuan masat e sigurisë. Kompanitë ajrore dhe aeroportet në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Evropë dhe gjetkë në botë njoftuan sot se kanë shtuar masat e sigurisë pas përpjekjes së dështuar për ta hedhur në erë aeroplanin amerikan në qytetin e Detroitit, i cili kishte mbërritur nga Amsterdami. Zyrtarët thanë se tashmë mund të shihen radhë më të gjata pritjeje pasi personeli i sigurisë mund të bëjë kontrolle më rigoroze të udhëtarëve. Gjithashtu bëhet e ditur se mund të ketë kufizime tjera edhe gjatë fluturimit, si p.sh. mos lëshimi i ulëses në dy orët e fundit të fluturimit, si dhe kufizime për sendet që pasagjerët i marrin me vete në aeroplan, citon RFE, burime zyrtare.