English

Festat, bashkohen në një drekë krerët e komuniteteve fetare në vend

Tiranë, 27 dhjetor NOA - "Bashkëjetesa fetare në Shqipëri është mençuri, është urtësi, por është edhe vizion për të ardhmen e vendit dhe kombit", tha sot Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli e ftuar në një drekë të veçantë mes krerëve të komuniteteve fetare në Shqipëri, organizuar nga Komiteti shtetëror për kultet.

Në këtë takim që përcolli mesazhet e harmonisë mes komuniteteve fetare morën pjesë kreu i komunitetit mysliman, Haxhi Selim Muça, kreu i Kishës katolike imzot Rrok Mirdita, përfaqësuesi i Kishës ordodokse Andon Merdani, kreu i Kryegjyshatës bektashiane, Dede Reshat Bardhi si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Në këtë drekë festive me rastin e festave të fundvitit, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi këtë traditë të shkëlqyer dhe të rrallë që populli ynë e trashëgon prej shekujsh.

"Ky ishte një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët. Ishte një periudhë në të cilën Shqipëria mbylli një kapitull shumë shekullor të pasigurisë dhe hyri në periudhën e sigurisë.

Vit që unë e konsideroj një nga vitet që, për nga ngjarjet që pati, do të hyjë në historinë e proceseve integruese të kombit tonë.

Por ishte dhe një vit që në raportet me komunitetet fetare ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm.

Vit në të cilin shteti ka nënshkruar marrëveshje me të gjitha komunitetit fetare, pas konsultimeve dhe marrjes parasysh të çdo sugjerimi të secilit prej komuniteteve. Vit në të cilin qeverisja demokratike ka miratuar ligjin për financimin e komuniteteve fetare, ligj i cili nuk ka ekzistuar më parë. Ishte një premtim i bërë dhe një fjalë e mbajtur, i kthyer në realitet në këtë vit që po mbyllim" tha Kryetarja e Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit tha se viti që vjen do të shënojë një ngjarje tjetër të madhe, do të jetë viti i lëvizjes së lirë, dhe nuk ka gjë më të rëndësishme për këtë komb i cili ndër shekuj ka qenë i izoluar.

Duke falënderuar gjithë krerët e komuniteteve fetare për punën, misionin dhe përkushtimin e tyre, ajo u uroi atyre shëndet, mbarësi e lumturi në jetë.

k.k/NOA

KOMENTE