English

Moti, Kryeministri thotë se është i shqetësuar për situatën në kaskadat e lumenjve

Tiranë, 27 Dhjetor NOA - Reshjet e mëdha të ditëve të fundit kanë sjellë rritje shumë të madhe dhe të shpejtë të nivelit të ujit në digat e kaskadës së Drinit, por edhe të Matit. Kështu, sot gjatë ditës, prurjet më kaskadën e Drinit po shkojnë në rreth 4 mijë metër kub në sekondë. Ndërkohë, Vau i Dejës dhe Koman po shkojnë drejt niveleve maksimale.

Kjo situatë ka preokupuar sot kryeministrin Sali Berisha i cili përmes një informacioni që i komunikoi mediave, pohoi se niveli thuajse maksimal i prurjeve, "ka imponuar shkarkimin nga tunelet e sigurisë në Koman, Vaun e Dejës, por edhe në Ulëz".

Kryeministri Berisha thotë se po ndjek vazhdimisht situatën, si me Ministrinë e linjës, ashtu edhe me autoritetet vendore, kurse evidenton se deri tani nuk ka përmbytje. Ndërkohë, Kryeministri ka urdhëruar Ministrin e Brendshëm që të dërgojë drejt zonave të rrezikuara emergjencën civile, si dhe Ministrin e Mbrojtjes për dërgimin në këto zona të reparteve të Xhenjos.

Bëhet e ditur po ashtu se Kryeministri ka kërkuar hartimin e evakuimit të banorëve në rast nevoje, kurse situata është nën vëzhgim të pandërprerë dhe aktualisht, në kontroll të plotë.

e.r/NOA

KOMENTE