Tiranë, 27 Dhjetor NOA - Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë u përgjak pasi dy makina u përplasën fatalisht mes tyre, me pasojë vdekjen e tre të rinjve dhe plagosjen e katër të tjerëve.
Në vendngjarje, në orën 04.00 të mëngjesit të sotëm, pranë urës së madhe në bulevardin qendror, u konstatua në pamje kasaphane:
Makina e markës "Land Rover" me targa të Tiranës ishte përplasur me mjetin tjetër tip "BMW" me targa të huaja dhe rezultati ishte vërtet i frikshëm.
Vdekje të menjëhershme kanë gjetur Kliton Malo, 27 vjeçar, Gentian Shehu, 37 vjeç dhe një vajzë e cila ende nuk është arritur të identifikohet.
Sakaq, janë plagosur edhe një vajzë tjetër si dhe tre djem, të cilët në gjendje kritike për jetën, u dërguan në urgjencën spitalore.
Ata janë Blerta Mekshi, 23 vjeçe, Aldo Ishmaku, 20 vjeç, Fatmir Leka, 20 vjeç dhe Arben Alla, 36 vjeçar.
Burime spitalore i thanë agjencisë NOA se gjendja e të katërtve është tejet e rëndë, madje rrezikohet jeta e vajës së mbijetuar gjatë natës.
Policia thotë se është duke kryer hetime, për të zbardhur tërësisht rrethanat e ngjarjes si dhe të bëjë të mundur identifikimin e vajzës së vdekur.
Paraprakisht, konsumi i pijeve alkoolike me pasojë shmangien e kujdesit në drejtimin e automjeteve si dhe një përgjumje e mundshme e shoferëve, shihen si shkaqe të aksidentit tragjik.
e.r/NOA