Fier, 27 dhjetor NOA - Policia e Fierit ka identifikuar dhe arrestuar njëri prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 32-vjeçarit i cili u gjet ditën e shtunë i vdekur në një tunel te ish-repartit të tankeve në fshatin Levan të Fierit.
Oficerët e hetimit të krimit organizuan një operacion të koduar "Tuneli" i cili u finalizua me identifikimin dhe arrestimin e 18-vjeçarit Miço Osmani, banues në Levan të Fierit pasi akuzohet për veprën penale të "Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen".
Burime nga policia thanë se Osmani, akuzohet se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë me inicialet S.A dhe R.O, fillimisht kanë vjedhur me armë shtetasin Leonard Hazizaj dhe më pas e kanë vrarë atë me armë zjarri tip automatik.
Dy shtetasit, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për arsye hetimi, janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen e tyre.
Trupi i pa jetë i 32-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga kalimtarë të rastit të cilët lajmëruan policinë.
k.k/NOA