English

Bebeka Alla, një kalendar për Operan

Tiranë, 28 dhjetor NOA - Një kartolinë ndryshe për TKOB. Personazhe operash në kalendarin 2010. Portrete personazhesh në një krijim artistik. Një punë krijuese e rëndësishme që mishëron figurat qendrore të skenës operistike, sipas personazheve të roleve të ndryshme. Në ditët e fundvitit Teatri i Operës dhe Baletit, në një ide nga piktor-grimiorja, Bebeka Alla afron më shumë publikun në suksesin e një viti të kaluar.

Në hollin e këtij institucioni, në orët e paradites së sotme u përcollën përshëndetjet e drejtorit Zhani Ciko dhe stafit të tij, duke promovuar vlera artistike të një pune, që jo rrallë ka kaluar në heshtje, qoftë edhe nga pasqyrimi në media: Zbërthimi artistik i figurave qendrore në operat e kalendarit 2009, ku artistët si Mariana Leka, Irini Nikolla, Ylber Gjini, Eriona Gjyzeli, Edith Mihali, Sonila Baboçi, Manjola Konjari, Armando Likaj, Sidrit Bejleri, Christopher Fel, Lindita Kola, Cangiz Sayin, Vikena Kamenica, Eva Golemi, Dorina Selimi, Shpresa Beka kanë kaluar nga duart e mjeshtres Bebeka Alla për t'u shndërruar në personazhet e pavdekshme të operave si "Falstaff", "Lucia di Lamermour", "Kiss me Kate", "Turandot", "Trovatore", "Toska", etj.

Të sjellë në një krijim artistik të portretit, 16 artistët do të jenë protagonistë të kalendarit 2010, që TKOB ka vendosur t'ua bëjë dhuratë në këtë fundvit të gjithë adhuruesve të skenës operistike.

"Pa vetëmburrje mund të themi se ky institucion ka shfrytëzuar maksimalisht potencialet e tij krijuese duke afruar spektatorin dhe duke sjellë gjithmonë e në rritje shfaqje me nivel të lartë artistik. Këtë e tregon edhe pjesëmarrja e artistëve të huaj në skenën tonë. Opera mbetet shtëpia jonë e përbashkët, ku integrimi me artin bashkëkohor mbetet një synim dhe ambicie e jona"- u shpreh në këtë promovim drejtori Ciko, i cili nuk harroi të përshëndesë të gjithë artistët, jo vetëm ata të skenës, por edhe të gjithë stafin që mbështet një vënie skenike, shumë herë të niveleve ndërkombëtare.

Në këtë arritje skenike një vend të veçantë zënë edhe portret-personazhet e krijuara nga Bebeka Alla, e cila sipas Cikos "Është një mjeshtre dhe artiste e skenës, e cila jep kontributin e saj si piktor-grimiere, jo vetëm në këtë institucion, por dhe në spektakle dhe shfaqje të tjera koncertale, të teatrit, musikale-ve, etj".

Bebaka Alla është zëri i heshtur i çdo shfaqjeje artistike operistike, ku prej mëse 20 vitesh shumë artistë mbajnë firmën e shndërrimit të saj skenik dhe portretet e krijuara prej saj janë mirëpritur dhe janë duartrokitur nga mijëra spektatore.

"Jam e gëzuar që munda t'u dhuroj këtë kalendar, një ide e hershme e imja, e cila gjeti mbështetjen dhe u realizua falë ndihmës së TKOB-së. Gjej rastin t'i falënderoj të gjithë për këtë bashkëpunim artistik dhe me nivel"- tha Alla në një takim sot paradite me median, miq dhe artistë të institucionit.

m.s/NOAÂ Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â Â

Â

KOMENTE