English

Berisha: Në 1324 ditët e mbetura, plan për t'u afruar dhe më shumë me BE-në

FOTOT

Tiranë, 28 Dhjetor NOA - Kryeministri Sali Berisha, i pyetur se cilat janë dështimet e qeverisë që ai drejton në këto 100 ditë, tha sonte se ka në plan që në periudhën e mbetur të qeverisë së tij, të realizohen dhe një sërë objektivash, duke mos dhënë detaje mbi këtë argument.

Gjithsesi, Berisha tha se i kanë mbetur edhe 1324 ditë deri në përfundim të mandatit të qeverisë që ai po drejton, e dyta që nga viti 2005 kur ai u rikthye në pushtet.

Berisha lëshoi premtimin se viti 2010 do të jetë vit i përparimeve të mëdha e po ashtu edhe ai pasrendës.

Duke shtuar se viti 2013 shpreson që me punën që qeveria e tij do të bëjë, të jetë vit i afrimit më shumë se kurrë me Evropën.

***

Në konferencën për shtyp që sapo përfundoi, ku Berisha foli për 100 ditët e punës së qeverisë që drejton, tha se këto 100 ditë, janë përcaktuese për të ardhmen e shqiptarëve

Berisha foli për afro 300 ligje, vendime dhe dekrete, të miratuara "të gjitha, me synimin për zhvillimin e vendit".

Për kryeministrin, këto 100 ditë ishin përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në takimin me gazetarë me një dekor të zbukuruar për Vitin e Ri, Kryeministri veçoi dhe rëndësinë që ka në kuadrin e zhvillimeve të këtyre 100 ditëve edhe koalicioni me LSI, forcë politike që i përket të majtës.

Sipas Berishës, ky koalicion lindi si pasojë e leximit të përgjegjshëm të verdiktit të popullit si nga PD dhe nga LSI.

Berisha tha edhe se 100 ditët që lamë pas është periudha më e rëndësishme sa i përket vendimeve që Bashkimi Evropian ka marrë për vendin tonë.

Duke folur mbi çështjet e luftës ndaj korrupsionit, Berisha tha se "këto 100 ditë janë arrestuar me vendim gjykate, plot 28 zyrtarë shteti, por këtë herë, mes tyre dhe gjykatës e prokurorë", çka për Berishën do të thotë se gërshërët e ligjit po shtrihen tek ata që abuzojnë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Pohimet e Berishës u bënë pak çaste më parë gjatë një konference për shtyp që po vazhdon në kryeministri, për 100 ditët e qeverisë së Integrimit Evropian.

Berisha foli mbi ligjin Antimafie që sapo është miratuar, duke shprehur sigurinë se do të bëjë të mundur "çmontimin me darën e ligjit, një nga një të pronave të mafies".

Berisha komentoi dhe shtyrjen me tre vjet të tjera të moratoriumit antiskaf, duke pranuar fillimisht se lufta kundër mafies është një betejë e vështirë.

Kurse menjëherë më pas, tha: "Vendosmëria jonë është e plotë dhe totale që ta godasim atë në mënyrë frontale, absolutisht pa asnjë tendencë politike, por do të shkatërrojmë me forcën e ligjit çdo mburojë politike të saj".

e.r/NOA Vijon...

Lexoni lajmet pararendëse:

Berisha: Në 100 ditë u arrestuan 28 zyrtarë, mes tyre gjykatës e prokurorë

Berisha: Rama kërkon ta shndërrojë Parlamentin në gjykatë

Berisha: Këto 100 ditë, përcaktuese për të ardhmen e shqiptarëve

KOMENTE