English

Festat, policia rrit gatishmërinë, masa të rrepta për shoferët që konsumojnë alkool

Tiranë, 28 dhjetor NOA - Policia e Tiranës ka marrë një sërë masash për të garantuar qetësinë publike si dhe për të parandaluar ngjarje të mundshme kriminale gjatë festave të fundvitit.

"Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, në zbatim të përgjegjësive ligjore, kanë planifikuar dhe marrë masa për parandalimin e ngjarjeve kriminale apo ngjarjeve të tjera që cenojnë rendin e qetësisë publike.

Masa të veçanta janë planifikuar në drejtim të, parandalimit, zbulimit dhe goditjes në kohë të çdo lloj tendence kriminale, rritjes së sigurisë në rrugë dhe parandalimit të ngjarjeve aksidentale, sigurimin e rendit dhe qetësisë në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës e në veçanti në Qendrat Tregtare, Bulevardet dhe Sheshet kryesore si dhe në lokalet ku qytetarët do të festojnë ndërrimin e viteve" thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar sot nga policia e kryeqytetit.

Gjithashtu policia ka marrë masa edhe për sigurimin të Ambasadave, Rezidencave të tyre, Objekte të Rëndësishme, duke përfshirë edhe në nënstacionet elektrike e depot e ujit.

Do të bashkëpunojë me shërbimet e emergjencës si: Ambulancat, Zjarrfikësit, etj.

Ndërkohë që aksidenti tragjik që ndodhi një ditë më parë në qendër të Tiranës me pasojë vdekjen e tre të rinjve dhe plagosjen e katër të tjerëve ka detyruar Policinë e Tiranës, të planifikojë masa dhe të ushtrojë kontrolle të plota ndaj të gjithëve drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit në rrugor, ecin me shpejtësi tej normave të lejuara apo drejtojnë automjetin nën efektin e pijeve alkoolike.

"Këto kontrolle do të ushtohen kryesisht në orët e vona të natës dhe gjatë netëve që shoqërojnë festat e fundvitit, duke ngritur grupe kontrolli të organizuara në vende të ndryshme, si në qytet ashtu dhe në linja.

Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, duke u nisur nga përvoja dhe analiza e viteve të kaluara, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të bëjnë kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarrëve" deklaroi më tej policia e kryeqytetit.

k.k/NOA

KOMENTE