English

Meta: Mazhoranca i ofron opozitës dialog

Tiranë, 28 dhjetor NOA - Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm Ilir Meta u shpreh sot gjatë një konference për shtyp se i ofron opozitës vullnetin më të hapur e të sinqertë për të mbështetur çdo kërkesë legjitime, demokratike e kushtetuese që ajo të hyjë në Parlament.

"Jemi të hapur për të ofruar mbështetjen tonë në funksion të forcimit të shtetit ligjor, që do t'i shërbejë përshpejtimit të integrimit evropian të vendit, dhe absolutisht një debati konstruktiv dhe favorizues për integrimin e vendit.

Dialogu kërkon të paktën dy palë. Dhe në këtë drejtim ju e dini që Qeveria dhe maxhoranca janë të palëkundura për të ecur përpara në rrugën e dialogut. Natyrisht që mbetet në vullnetin e palës tjetër, që edhe ajo vetë të kuptojë filozofinë e dialogut dhe unë shpresoj që ata do t'a kuptojnë" tha Meta.

Meta është pyetur nga gazetarët për qëndrimin e tij në lidhje me deklaratën e Dinosha, lideri i UDSH në Malin e Zi, i cili ka shprehur një akuzë, sipas së cilës, Qeveria shqiptare nuk po bën mjaftueshëm për pakicat shqiptare në Malin e Zi.Â

"Në Malin e Zi, jemi takuar me përfaqësues të forcave politike shqiptare atje, dhe vazhdimisht në agjendën e bashkëpunimit të Shqipërisë me Malin e Zi, janë jo vetëm takimet me përfaqësues shqiptarë por edhe angazhim për çështjet që i preokupojnë.

Ata kanë pasur dhe do të kenë mbështetjen e Shqipërisë, ashtu sikurse ne u kemi kërkuar edhe të realizojnë një bashkëpunim më të mirë brenda vetes së tyre në mënyrë që të paraqesin në mënyrë sa më të besueshme kërkesat e tyre për një integrim edhe më të denjë të tyre sipas standardeve evropiane. Vëmendja jonë ka qenë edhe deri në skajet më të largëta ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, deri edhe në Plavë e Guci, dhe do të vazhdojë e tillë kudo që jetojnë shqiptarët. Edhe në Ukrainë, ku, ju e dini që ka në komunitet shqiptarësh, edhe ndaj tyre do të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm" iu përgjigj pyetjes Meta.

k.k/NOA

Â

KOMENTE